TIRANË– Ditën e sotme Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një projektrezolutë me 14 detyra për Bankën e Shqipërisë, të cilat institucioni duhet t’i zbatojë gjatë muajve të mbetur të vitit. Në fokus të tyre janë monitorimi i kursit të këmbimit, forcimi i mbikëqyrjes së sistemit bankar, lufta kundër pastrimit të parave dhe rritja e kreditimit për ekonominë.
Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte ecuria e kursit të këmbimit, në një kohë kur euro ka vijuar të zhvlerësohet ndaj lekut. Deputetët kërkuan që Banka e Shqipërisë të ndjekë me kujdes zhvillimet në treg, duke respektuar parimet e tregut të lirë dhe duke ndërhyrë vetëm kur është e nevojshme.
Gjatë diskutimeve në Kuvend, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, kërkoi forcimin e kontrolleve për parandalimin e pastrimit të parave, veçanërisht në zyrat e këmbimit valutor dhe institucionet financiare. Sipas tij, flukset e dyshuara të parave të pista ndikojnë edhe në zhvlerësimin e valutës, ndaj mbikëqyrja duhet të jetë më e rreptë.
Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, u shpreh se zhvlerësimi i euros gjatë viteve të fundit ka krijuar kosto shtesë për bizneset eksportuese. Ai solli në vëmendje edhe hetimet e SPAK-ut për pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit, duke kërkuar masa më të forta për të luftuar këtë fenomen.
Rezoluta i rekomandon gjithashtu Bankës së Shqipërisë të monitorojë zbatimin e Programit të Financimit për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, përfshirë skemën e garancisë sovrane, me synim rritjen e kreditimit për sektorët që kanë më pak akses në financim.
Një tjetër rekomandim lidhet me mbikëqyrjen më të fortë të bankave që kanë ekspozim të lartë ndaj huamarrësve të mëdhenj dhe sektorit të pasurive të paluajtshme, me qëllim ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar. Krahas këtyre, Bankës së Shqipërisë i kërkohet të vijojë përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian, të forcojë mbrojtjen nga sulmet kibernetike, të avancojë me "Open Banking" dhe të mbikëqyrë zhvillimin e bankave tërësisht digjitale./ZËRI