TIRANË- Administrata Tatimore ka njoftuar nisjen e zbatimit të ligjit për faljen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore. Sipas njoftimit, nga 10 Qershori 2026 do të nisë zbatimi, ku bizneset dhe tatimpaguesit mund të përfitojnë nga një sërë lehtësish që synojnë të ulin barrën e detyrimeve të prapambetura.
Detyrimet e prapambetura deri më 31 dhjetor 2014 do të fshihen plotësisht, ndërsa për vitet 2015-2019 do të falet 50% e principalit nëse paguhen deri më 30 qershor të këtij viti. Ose, nëse paguhet 75% e detyrimit deri më 30 dhjetor, do të falen 25% e principalit. Ndërsa për detyrimet 2020-2024 do fshihen gjobat dhe kamatëvonesat nëse paguhet 100% e principalit deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Njoftimi i plotë:
Nis zbatimi i ligjit për faljen/shuarjen e detyrimeve tatimore, në vijim të udhëzimit nr. 11, datë 14.05.2026.
Nga data 10 Qershor 2026, tatimpaguesit mund të kryejnë pagesat për të përfituar nga lehtësitë ligjore:
Fshihen detyrimet deri më 31.12.2014
Falet 50% e principalit për detyrimet 2015–2019, nëse paguhen deri më 30.06.2026
Falet 25% e principalit për detyrimet 2015–2019, nëse paguhet 75% e detyrimit deri më 31.12.2026
Fshihen gjobat dhe kamatëvonesat për detyrimet 2020–2024, nëse paguhet 100% e principalit deri më 31.12.202
Subjektet që nuk përfitojnë nga fshirja/shuarja e detyrimeve:
-Subjektet që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore;
-Subjektet që janë në proces gjyqësor ose hetimi për vepra penale tatimore dhe/ose doganore gjatë periudhës së zbatimit të ligjit;
-Subjektet që kanë vendim gjyqësor të formës së prerë në favor të Administratës Tatimore apo Doganore për detyrimet objekt përfitimi.
Ditën e djeshme, 14 maj, u botua në Fletoren Zyrtare edhe udhëzimi i Ministrisë së Financave që i hap rrugën zbatimit të ligjit të ‘Paqes Fiskale’.
Nga kjo nismë e miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, 2025, preken gati 2.1 miliardë euro detyrime të papaguara në dekada, dhe përfitojnë më shumë se 200 mijë biznese debitorë./ZËRI
