
SHBA- Zjarret nuk ishin të rralla në zonën më të madhe të Los Anxhelosit të Kalifornisë jugore, por shkatërrimi total që kemi parë të shpaloset ditët e fundit është i paprecedentë, por edhe absolutisht i dhimbshëm për banorët. Ajo që po ndodh këtë vit është se ndryshimet klimaterike, por edhe problemet kanë shkaktuar një tragjedi. Pavarësisht se autoritetet u kërkuan banorëve të përgatiteshin në një farë mënyre, duke i kërkuar të pastronin oborret e tyre, shumë ose i neglizhuan, ose i injoruan thirrjet.
"Washington Post" dokumenton katër shkaqe që shkaktuan shkatërrim të pallogaritshëm dhe rrënuan komunitete të tëra në pak minuta.
PAMJET PARA DHE PAS FLAKËVE:
Tokat që nuk u pastruan
Para se një shtëpi të kërcënohet, ekspertët thonë se një nga hapat e paktë për parandalimin e zjarrit që mund të ndërmarrin pronarët e shtëpive është ta pastrojnë atë nga bari. Në Kaliforni, njerëzve që jetojnë në zona të rrezikshme u kërkohet të mbajnë të pastër një zonë 1.5 metra rreth shtëpive të tyre. Në praktikë, rregullat nuk respektohen në mënyrë uniforme. Shumë pronarë të shtëpive hezitojnë të heqin gardhet e drurit, të rimbjellin kopshtet e tyre dhe të krasitin degët më të ulëta të pishave. Fotot ajrore të lagjes Palisades të marra përpara zjarrit tregojnë shtëpitë e rrethuara nga gjelbërimi, një pamje e zakonshme në zonat e pasura ku banorët vlerësojnë privatësinë.
Për gati dy dekada, vullnetarë në Altandina mblidhen çdo pranverë për të prerë barin dhe për të hequr barërat e këqija përreth lagjes së tyre. Por shumë prej tyre nuk kanë bërë asgjë. Mirëpo, ka edhe nga ata që kanë bërë çdo gjë siç duhet dhe sërish banesat u janë djegur.
Urbanizimi
Komunitetet që u dogjën nuk ishin ndërtuar për të përballuar zjarre të mëdha. Në fakt, dy komunitetet që fjalë për fjalë u rrafshuan nga zjarret, Altadena dhe Palisada, u ndërtuan dekada më parë në ultësirat e maleve që digjen shpesh. Shtëpitë ishin ndërtuar në rrugë të ngushta dhe gjarpëruese, të cilat janë të vështira për t'u evakuuar, por edhe të vështira për t'u "mbrojtur" nga zjarrfikësit.
Edhe pse qarku tani merr parasysh zjarret kur shqyrton planet urbane, gati 90% e shtëpive janë ndërtuar para vitit 1990, përpara se të hynin në fuqi kërkesat e reja, të cilat janë edhe më të rrepta.
Ndryshimet klimaterike
Shkencëtarët thonë se ndërsa ndryshimi i klimës po i bën zjarret më të mëdha dhe më shkatërruese. Ashpërsia e zjarreve në të vërtetë u rrit në Kaliforni me 30% midis viteve 1980 dhe 2010. Por ka një faktor tjetër që kontribuon: politikat shtetërore dhe lokale.
Mungesa e ujit
Sistemi ujor i Los Anxhelosit nuk ishte krijuar për të luftuar zjarret dhe kjo u vërtetua. Sistemi vetëm synonte që të furnizonte me ujë shtëpitë dhe bizneset, por jo që të ndihmonte zjarrfikësit të përballonin zjarre të përmasave të tilla. Ironia e fatit është se ndërsa shtëpitë digjeshin, uji vazhdonte dhe rridhte nëpër tubacionet e banesave./ZËRI