
BEOGRAD- Gjashtë persona, përfshirë katër fëmijë, humbën jetën nga një zjarri që shpërtheu në lagjen Salajka në Novi Sad të Serbisë mbrëmjen e kaluar. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç.
“Viktimat janë të gjithë familjarë dhe ndodheshin në shtëpi në momentin e incidentit”, tha Daçiç, duke shtuar se fëmijët që vdiqën, ishin nga dy deri në shtatë vjeç.
Pjesëtarët e Administratës për Situata Emergjente të Serbisë dhe zjarrfikësit shuan zjarrin, ndërsa policia dhe prokurori publik nisën hetimet në vendin e ngjarjes.
Sipas Daçiç, zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga një skuter që ishte në karikim.
“Trupat e viktimave janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Ligjore për ekspertizë, ndërsa pjesëtarët e MPB-së po punojnë në mënyrë intensive për zbardhjen e të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike”, tha Daçiç. /REL