
STRASBURG – Parlamenti Europian, përmes një rezolute të veçantë, pritet që të kërkojë hetime të pavarura ndërkombëtare për parregullsitë që janë raportuar gjatë zhvillimit të zgjedhjeve në Serbi. Për rezolutën pritet që të votohet ditën e enjte, më datë 8 shkurt, gjatë seancës plenare të PE-së në Strasbourg.
Anëtarët e Parlamentit Evropian në tekstin e përbashkët të rezolutës së propozuar, bëjnë thirrje për një hetim të pavarur ndërkombëtar të parregullsive në zgjedhjet parlamentare, provinciale dhe lokale në Serbi, me vëmendje të veçantë për zgjedhjet e Beogradit, duke pasur parasysh se disa akuza, përfshirë ato që kanë të bëjnë me migrimin e organizuar i votuesve në nivel lokal, tejkalon deklaratat e raportit të OSBE/ODIHR.
Hetimi ndërkombëtar duhet të kryhet nga ekspertë të respektuar ndërkombëtarë të ligjit dhe institucioneve, sipas tekstit të rezolutës për situatën në Serbi pas zgjedhjeve të koordinuara ndërmjet grupeve politike, në të cilat agjencia Beta kishte qasje.
Në tekst, eurodeputetët përsëritën qëndrimin e tyre se negociatat e pranimit të Serbisë duhet të përparojnë vetëm nëse vendi respekton sanksionet kundër Rusisë dhe bën përparim të rëndësishëm në reformat që lidhen me BE-në, por gjithashtu nëse Serbia zbaton plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionin e Venecias.
Eurodeputetët i bëjnë thirrje Komisionit Evropian dhe Këshillit që të kushtëzojnë dhe reduktojnë ose ngrijnë fondet për Serbinë nga IPA III dhe instrumente të tjera financiare, nëse autoritetet në Beograd nuk duan të zbatojnë rekomandimet kryesore për zgjedhjet ose nëse nuk janë të gatshëm të pranojnë një marrëveshje ndërkombëtare. Hetimi pritet të jetë i pavarur për parregullsitë zgjedhore, nëse autoritetet ishin të përfshira drejtpërdrejt në mashtrimin zgjedhor.
Teksti shpreh keqardhje për devijimin nga standardet ndërkombëtare dhe përkushtimin e Serbisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe tregon se për shkak të abuzimit të vazhdueshëm dhe sistematik të institucioneve dhe mediave nga zyrtarët, zgjedhjet e dhjetorit nuk mund të konsiderohen të lira dhe të ndershme.
Eurodeputetët i kërkojnë Komisionit Evropian të nisë një iniciativë për dërgimin e një misioni ekspertësh në Serbi, i cili përfundimisht do të përfshijë ekspertë nga OSBE/ODIHR, Komisioni i Venecias dhe Këshilli i Evropës, për të vlerësuar situatën me zgjedhjet e fundit dhe zhvillimet paszgjedhore, në mënyrë që të sigurohen parakushtet për vendosjen e dialogut të nevojshëm social, çka do të çonte në rikthimin e besimit te institucionet. Vihet re se misionet ndërkombëtare të vëzhgimit kanë deklaruar se dita e zgjedhjeve ka kaluar mbarë, por është shënuar me mangësi të shumta procedurale.
Raporti tregon për dëshmi të shumta të parregullsive të mbledhura nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendas gjatë ditës së zgjedhjeve, të cilat ndikuan në mënyrë kritike në rezultatet e zgjedhjeve, veçanërisht për Beogradin, dhe minuan legjitimitetin e zgjedhjeve parlamentare.
Eurodeputetët shprehin shqetësim të thellë për mjedisin e përgjithshëm zgjedhor dhe parregullsitë e identifikuara dhe vlerësojnë se zgjedhjet ishin shumë më poshtë standardeve të pritura për një vend kandidat për në BE. Dokumenti shpreh keqardhjen për mungesën e reagimit institucional ndaj dyshimeve serioze për përfshirjen e zyrtarëve në manipulime dhe abuzime zgjedhore.
Në të njëjtën kohë, dënon mungesën e rezultateve në ndjekjen dhe sanksionimin e veprave penale në zgjedhje, përfshirë akuzat për manipulim të listës së zgjedhësve dhe të drejtave të votës, presionit dhe frikësimit të qytetarëve dhe kandidatëve në zgjedhje, rastet e korrupsionit, falsifikimit të firmat e qytetarëve, klientelizmi, abuzimi me të dhënat e qytetarëve.
Në projekt-rezolutën e përbashkët, autoriteteve serbe u kërkohet të hetojnë, ndjekin penalisht dhe nxjerrin para drejtësisë përgjegjësit për veprat kriminale gjatë zgjedhjeve dhe për sulmet ndaj studentëve e protestuesve. Serbia mbajti zgjedhje të përgjithshme dhe lokale më 17 dhjetor 2023, të cilat ishin tepër të kontestuara./ZËRI/