
RUSI - Një ish-gazetare televizive, e cila njoftoi se do të sfidonte Presidentin Putin në zgjedhjet e pranverës në Rusi, i është ndaluar të kandidojë. Politikania e pavarur Yekaterina Duntsova donte të kandidonte me një platformë politike, që parashihte dhënien fund luftës me Ukrainën.
Por Komisioni Zgjedhor votoi unanimisht për të hedhur poshtë kandidaturën e saj, tre ditë pas aplikimit të saj, duke përmendur 100 "gabime" në platformën e saj. Zonja Duntsova tha se do ta apelonte vendimin në Gjykatën e Lartë. Zgjedhjet presidenciale, të cilat do të mbahen në mars të vitit 2024, janë të parat në Rusi, që kur presidenti Putin filloi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, gati dy vjet më parë.
Shuplaka e menjëhershme e një kritikeje të Putinit do të shihet si dëshmi se asnjë disidencë nuk do të tolerohet në fushatë. Kryetarja e Komisionit Zgjedhor të Rusisë, Ella Pamfilova, tha se zonja Duntsova nuk do të lejohet të përparojë në fazën tjetër të mbledhjes së mijëra nënshkrimeve të mbështetësve.
"Ju jeni një grua e re, keni gjithçka përpara jush. Çdo minus mund të kthehet gjithmonë në një plus. Çdo përvojë është ende një përvojë," i tha ajo zonjës Duntsova, 40 vjeçe, pas vendimit. Ish-gazetarja televizive kishte deklaruar se do të kandidonte për presidencën në nëntor. Në atë kohë, ajo i tha agjencisë së lajmeve Reuters: "Çdo person i arsyeshëm që merr këtë hap do të kishte frikë - por frika nuk duhet të fitojë". Kushtetuta e Rusisë u ndryshua në vitin 2020, duke rritur mandatin presidencial nga katër në gjashtë vjet dhe duke i dhënë Putinit mundësinë për të kandiduar përsëri, duke anuluar mandatet e tij të mëparshme.
Moska ka lënë mënjanë figurat e opozitës për vite me radhë dhe presidenti Putin pritet të fitojë në mars; Kremlini pretendon se ai gëzon mbështetje mes rusëve. Zonja Duntsova kishte qenë e zëshme në planet e saj për të drejtuar një fushatë për përfundimin e luftës në Ukrainë dhe lirimin e të burgosurve politikë. Ajo u përgjigj shpejt pas vendimit të komisionit. “Do të apelojmë në Gjykatën e Lartë, pasi ky vendim nuk është i bazuar në ligj”, thuhet në një mesazh në kanalin e saj Telegram. Komisioni tha se 29 persona kanë paraqitur kandidaturat deri më tani për të kandiduar për presidencën. Por pas vendimit të sotëm, zoti Putin mbetet i vetmi kandidat që mund të regjistrohet si kandidat./ZËRI/