Bota

Zgjedhjet në Venezuelë/ Maduro fiton sërish, opozita e akuzon për mashtrim

Komisioni Zgjedhor pretendon se presidenti Nicolas Maduro është fituesi me 51% ndaj 44% të kundërshtarit të tij, pasi ka numëruar 80% të rezultateve zgjedhore, duke kundërshtuar exit poll-et e publikuara më parë.

I.F
Zgjedhjet në Venezuelë/ Maduro fiton sërish, opozita e akuzon
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro

VENEZUELË- Paqja e brendshme po varet në “fije të perit” në Venezuelë. Pak orë pasi u mbyll procesi i votimit, e gjithë bota po sheh me vëmendje nga vendi i trazuar i Amerikës së Jugut.

Komisioni Zgjedhor pretendon se presidenti Nicolas Maduro është fituesi me 51% ndaj 44% të kundërshtarit të tij, pasi ka numëruar 80% të rezultateve zgjedhore, duke kundërshtuar exit poll-et e publikuara më parë.

Kreu i fushatës së koalicionit, Jorge Rodríguez, la të kuptohet, të dielën në mbrëmje se presidenti Maduro ka siguruar një mandat të ri, megjithëse theksoi se nuk mund të zbulojë përqindjet.

Nga ana tjetër opozita thekson se kandidati i opozitës Edmundo González Urrutia ka mbizotëruar dhe madje me diferencë.

Vetë Maduro pohoi në orët e para të së hënës se fitorja e tij ishte një "triumf i paqes dhe stabilitetit" dhe përsëriti në mënyrë ogurzi besimin e tij se “ne jemi një komb luftëtarësh".

"Populli ka folur dhe vullneti i popullit duhet respektuar", tha Jorge Rodríguez më herët gjatë një konference për shtyp, i rrethuar nga Zëvendëspresidenti Delsy Rodríguez dhe ish Zëvendës Presidenti Diosdado Cabejo, i cili shpesh përshkruhet si i dyti në radhë në Karakas.

Kryetarja e opozitës Maria Korina Machado tha në orën 01:00 lokale se të gjithë e dinë se kandidati i opozitës ka mbizotëruar në të gjitha rajonet e vendit dhe ka arritur një përqindje prej 70%, krahasuar me 30% të Presidentit Maduro.

Shqetësim ndërkombëtar

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken kërkoi që të bëhen publike tabelat e detajuara të rezultateve të zgjedhjeve.

Edhe presidenti i majtë i Kilit, Gabriel Boriç, shprehu përmes X-së shqetësimin e tij për rezultatet e nxjerra nga regjimi i Maduros, duke theksuar se nuk është e lehtë t'i besosh ato.

Në të njëjtën kohë, ai kërkoi transparencë të plotë mbi procesin zgjedhor, duke theksuar ankthin e venezuelianëve të mërguar, të cilët janë strehuar me qindra mijëra në Kili dhe Kolumbi, por edhe gjetkë.

Në të njëjtën kohë, tetë qeveri të Amerikës Latine e quajtën "absolutisht të nevojshme" që të "garantohet" respektimi i rezultatit të zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë, me një deklaratë të përbashkët që ata lëshuan dje të dielën.

“Ne e konsiderojmë absolutisht të nevojshme që të kemi garanci se rezultatet zgjedhore do të respektojnë plotësisht vullnetin popullor të shprehur nga votuesit venezuelianë në qendrat e votimit”, thanë ministrat e jashtëm të tetë vendeve (Argjentinë, Kosta Rika, Ekuador, Panama, Paraguaj, Peru, Republika Domenikane dhe Uruguai).

Teksti i publikuar nga Ministria e Jashtme e Panamasë përmes X-it, thekson se garancitë për të cilat referohet janë “numërimi transparent i votave”, si dhe “verifikimi dhe kontrolli” nga të gjithë kandidatët, “vëzhguesit” dhe “përfaqësuesit”.

Karakasi refuzoi të lejojë hyrjen, ose e bllokoi atë në minutën e fundit, për disa vëzhgues të huaj, duke përfshirë katër ish-presidentë të Amerikës Latine, avioni i të cilëve nuk u largua kurrë nga Panama për në Karakas siç ishte planifikuar të premten, ndërsa tërhoqi ftesën për Bashkimin Evropian për të dërguar një ekip të vëzhguesve.

Gjatë fushatës, presidenti Maduro iu referua opozitës si një kërcënim që mund të kthehet në një “gjakderdhjeje në një luftë civile vëllavrasëse që mund të shkaktojnë fashistët". /ZËRI/

Poll

MOS HUMB