Bota

Zelenskyy: Lufta mund të përfundojë nëse Ukraina anëtarësohet në NATO

Zelenskyy pranoi por shtoi se do të kërkojë që anëtarësimi në NATO t'i ofrohet së pari të gjithë Ukrainës.

k.m.
Zelenskyy: Lufta mund të përfundojë nëse Ukraina
Volodymyr Zelenskyy

KIEV- Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka bërë një propozim; që pjesët e Ukrainës që janë nën kontrollin e tij, të merren "nën ombrellën e NATO-s" në përpjekje për të ndaluar "fazën e nxehtë" të luftës me Rusinë. Ai u pyet nga Sky Neës nëse do të pranonte anëtarësimin në NATO, por vetëm në territorin që ka aktualisht Kievi. Zelenskyy pranoi por shtoi se do të kërkojë që anëtarësimi në NATO t'i ofrohet së pari të gjithë Ukrainës.

Ndërkohë, Zelenskyy ka qenë i prirur për t'u angazhuar me çfarëdo propozimi që mund të marrë në konsideratë presidenti i sapozgjedhur i SHBA, Donald Trump.

“Dua të ndaj me të idetë dhe dua të dëgjoj prej tij, idetë e tij,”- tha Zelenskyy.

Udhëheqësi ukrainas tha se do të dërgonte një ekip në ditët në vijim për të takuar zyrtarët e Trump, duke përfshirë të dërguarin special të presidentit të zgjedhur së fundmi për Ukrainën, gjeneralin në pension Keith Kellogg. Në prill, gjenerali Kellogg ishte bashkëautor i një plani, të quajtur Amerika e Para: Rusia dhe Ukraina, i cili do të ngrinte linjat e frontit në Ukrainë dhe do t'i bënte presion Kievit dhe Moskës për t'u bërë pjesë e tryezës së negociatave.

Por në rast të një armëpushimi, Uashingtoni do të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake dhe të forcojë mbrojtjen e Ukrainës për t'u siguruar se Rusia nuk do të bëjë përparime në territorin ukrainas. Në këto kushte, anëtarësimi në NATO për Ukrainën do të shtyhej për një periudhë të gjatë.

“Pa NATO-n, ai [Presidenti rus Vladimir Putin] do të kthehet,”- këmbënguli Zelenskyy për BBC.

Dallimet midis planit të paqes të Zelensky dhe politikës së sapolindur të Trump janë ende thelbësore.

Por, duke u angazhuar me idenë e një armëpushimi dhe sakrificash të dhimbshme territoriale (të paktën në afat të shkurtër), lideri ukrainas po bën çmos që të tingëllojë konstruktiv, i vetëdijshëm se deri më tani nuk ka shenja ekuivalente që vijnë nga Moska.

Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë në vitin 2014. 8 vjet më vonë, ajo filloi një pushtim të plotë të Ukrainës dhe ka pushtuar territorin në lindje të vendit. Vlen gjithashtu të theksohet se deri më tani Putin nuk ka dhënë absolutisht asnjë tregues se e ka braktisur dëshirën e tij për të pushtuar plotësisht Ukrainën./ZËRI

Poll

MOS HUMB