Bota

Sulmi në Veri, Sveçla: Janë arrestuar 8 persona, është konfiskuar arsenal armësh e pajisje ushtarake

Sveçla tha se të arrestuarve i është konfiskuar edhe një arsenal armësh dhe pajisje të tjera ushtarake.

k.m.
Sulmi në Veri, Sveçla: Janë arrestuar 8 persona,
Xhelal Sveçla

PRISHTINË- Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë me dije se 8 persona janë vendosur në pranga pasi dyshohet se kanë lidhje me sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Në një deklaratë për mediat, Sveçla tha se të arrestuarve i është konfiskuar edhe një arsenal armësh dhe pajisje të tjera ushtarake.

Sulmi në Veri, Sveçla: Janë arrestuar 8 persona,
Provat e sekuestruara

“Në 10 lokacione në Veri janë realizuar kontrolle, janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore 8 persona të dyshuar mbi dyshimin për përfshirje në veprime kriminale dhe terroriste. Kontrolli i realizuar i realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës ka rezultuar me konfiskimin e një arsenali të armëve dhe municionit, eksplozivit, pajisjeve të ndryshme, përfshirë emblema e qindra uniforma e pajisje ushtarake të cilat do të shërbejnë si dëshmi relevante që ndërlidhen me akte kriminale,"-tha ndër të tjera në fjalën e tij Sveçla. 

Ndër të tjera, Sveçla, sulmin e mbrëmshëm e cilësoi si më të rëndin të kryer ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës që nga përfundimi i luftës.

Në konferencë me të ishte edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i cili u shpreh se për shpërthimin janë përdorur 15 deri në 20 kilogramë eksplozivë.

“Në bazë të hetimeve në vendin e ngjarjes, për ta kryer këtë sulm terrorist dyshohet se janë përdorur një sasi e madhe e eksplozivit prej 15 deri në 20 kilogramë. Eksplozivi ishte vendosur në një çantë të zezë dhe është aktivizuar me detonator mekanik, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme,”-u shpreh në fjalën e tij kryepolici Hoxha. Si pasojë e sulmit, furnizimi me ujë të pijshëm është ndërprerë në shumë zona.

Më 29 nëntor, rreth orës 19:00, një shpërthim i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit. Një nga objektet që furnizohet me ujë është edhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Por fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz, por banorët e zonës kanë mbetur pa ujë dhe pa energji elektrike. Për këtë sulm, Kosova ka akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë, derisa kjo e fundit ka mohuar të gjitha akuzat. Reagime ka pasur edhe nga Shqipëria, edhe nga ndërkombëtarët./ZËRI

Poll

MOS HUMB