
FRANCË- Zbulohet misteri pas një prej trupave të gjetur të varrosur nën katedralen Notre Dame në Paris. Mbetjet e gjetura në një sarkofag plumbi të zbuluar në prill të vitit 2022 ka të ngjarë t'i përkasin poetit të Rilindjes, Joachim du Bellay. Du Bellay ishte një themelues i grupit letrar "La Pléiade". Sipas mediave të huaja, ai vdiq rreth moshës 37-vjeçare më 1 janar 1560 dhe besohej se ishte varrosur pranë një të afërmi në një kishë në Notre Dame, megjithëse varri i tij aktual nuk u gjet kurrë.

Eshtrat e tij ndoshta dolën në dritë dy vjet më parë, kur ekskavatorët e Institutit Kombëtar për Kërkime Arkeologjike Parandaluese (INRAP) gërmuan dy sarkofagë në zemër të katedrales.
Një nga sarkofagët kishte një epitaf dhe banori i tij u identifikua shpejt si Antoine de La Porte. Ndërsa identiteti i trupit të dytë mbeti i panjohur. Shkencëtarët përcaktuan se kockat i përkisnin një mashkulli të rritur me një strukturë unike të femurit që tregonte se ai kishte hipur mbi kuaj që në moshë të re.
Ekzaminimi në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Spitalit Universitar të Tuluzës zbuloi gjithashtu se burri vuante nga tuberkulozi i kockave dhe meningjiti kronik.
Du Bellay la të kuptohet se vuante pikërisht nga këto sëmundje në poezinë e tij, "Ankesa e të Dëshpëruarve",.
Megjithatë, disa ekspertë thanë se identiteti zyrtar i burrit misterioz ende nuk është vërtetuar 100%.
“Elementë të caktuar nuk e mbështesin këtë hipotezë: analiza e izotopeve të dhëmbëve tregon se individi ka jetuar në rajonin e Parisit ose Rhône-Alpes deri në moshën 10 vjeç. Megjithatë, ne e dimë se Joachim du Bellay u rrit në Anjou,"-tha arkeologu i INRAP dhe drejtuesi i gërmimeve Christophe Besnier.
Kështu, eshtrat do t'i nënshtrohen testeve shtesë, duke përfshirë analizat për të përcaktuar më tej moshën e saktë të të vdekurit. Megjithatë, pa ADN krahasuese, identifikimi formal është i pamundur dhe shkencëtarët dhe historianët njësoj do të duhet të kënaqen me supozimet.
Mbi 5 vjet pasi u shkatërrua pothuajse nga flakët, projektet e restaurimit në Notre Dame thuhet se janë në fazat përfundimtare ndërsa katedralja përgatitet të rihapet më 8 dhjetor./ZËRI