
SERBI- Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka hedhur poshtë sot spekulimet për manipulimin e zgjedhjeve parlamentare, duke thënë se ato janë plotësisht të pastra, zgjedhjet më të pastra dhe më të drejta deri më tani.
Duke iu përgjigjur pyetjes së mediave për komentet nga Berlini për zgjedhjet në Serbi, Vuçiç, tha të enjten se autoritetet shtetërore të Serbisë po e hartojnë “një letër të rëndësishme për ndikimin dhe ndërhyrjen e një vendi të rëndësishëm në procesin zgjedhor të Serbisë në mënyrën më brutale”.
“Do të kryhet deri në Vitin e Ri dhe më pas do ta dërgojmë në mbarë botën që të shihet se si bëhet një ndërhyrje e tillë në procese që i përkasin një vendi të pavarur sovran”, tha Vuçiç, për median serbe Rtv.rs.
Fundjavën e kaluar Serbia mbajti zgjedhje parlamentare, provinciale dhe lokale. Koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës” nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve dhe kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke pretenduar se fitorja e Partisë Progresive Serbe (SNS) është rezultat i vjedhjes së votave. Ndërkohë Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi vendosi ripërsëritjen e zgjedhjeve parlamentare në 28 qendra votimi në vend. Si datë për mbajtjen e tyre, Komisioni caktoi 30 dhjetorin./ ZËRI