Bota

Si nëpër filma, shpallet i pafajshëm pas 48 viteve burg

Glynn Simmons tani 70 vjeç, u shpall i pafajshëm për një vrasje, e kryer më 1974.

D.XH
Si nëpër filma, shpallet i pafajshëm pas 48 viteve burg
Glynn Simmons

SHBA - Një gjykatë në Oklahoma ka shpallur të pafajshëm një burrë që kaloi 48 vjet burg për një vrasje që nuk e kreu, dënimi më i gjatë i gabuar i njohur në SHBA. Glynn Simmons, 70 vjeç, u lirua në korrik, pasi një gjykatë e qarkut zbuloi se provat vendimtare në rastin e tij nuk iu dorëzuan avokatëve të tij mbrojtës.

Të hënën, një prokuror i qarkut tha se nuk kishte prova të mjaftueshme për të garantuar një gjyq të ri. Në një urdhër të martën, gjyqtarja Amy Palumbo e shpalli Simmons të pafajshëm. "Kjo gjykatë konstaton me prova të qarta dhe bindëse se vepra për të cilën Simmons u dënua dhe u burgos nuk ishte kryer nga ai", tha gjykatësja e qarkut të Oklahoma, Palumbo në vendimin e saj.

"Është një mësim për të gjithë ne", u tha Simmons gazetarëve pas vendimit, sipas Associated Press. "Mos lejoni që askush t'ju thotë se keni faj, sepse e kundërta mundet të jetë e vërtetë", shtoi ai. Simmons kreu 48 vjet, një muaj e 18 ditë burg për vrasjen e Carolyn Sue Rogers në vitin 1974, gjatë një grabitjeje në një dyqan pijesh alkoolike në periferi të Oklahoma City.

Simmons ishte 22 vjeç kur ai dhe një i bashkëpandehur, Don Roberts, u dënuan me vdekje në 1975. Tani ai është 70 vjeç. Dënimet më vonë u reduktuan në burgim të përjetshëm, për shkak të vendimeve të Gjykatës së Lartë të SHBA-së për dënimin me vdekje. Simmons ishte shprehur se ishte i pafajshëm, duke thënë se ai ishte në shtetin e tij të lindjes, Luiziana, në kohën e vrasjes.

Simmons buzëqeshi, ndërsa gjykata deklaroi të martën pafajësinë e tij. I veshur me një pulovër gri me kapuç, Simmons u tha më vonë gazetarëve se ai e kishte pritur këtë moment për një kohë të gjatë. “Ajo që është bërë nuk mund të zhbëhet, por duhet të ketë përgjegjësi për këtë që ndodhi”, tha ai.

Roberts u lirua me kusht në vitin 2008. Personat e dënuar gabimisht në Oklahoma kanë të drejtë për kompensim deri në 175,000 dollarë (138,000 £). Simmons aktualisht po lufton me kancerin e mëlçisë, sipas GoFundMe të tij, që ka mbledhur mijëra dollarë për të ndihmuar në shpenzimet e tij të jetesës dhe kimioterapisë./ZËRI/

Poll

MOS HUMB