Bota

Vrasja mizore e Vanjës, prokurori: Kemi provat e implikimit të autorëve

Kryeprokurori i Shkupit, Gavril Bubevski tha se ka prova konkrete se të dyshuarit janë përfshirë në ngjarjen, që tronditi opinionin publik.

D.XH
Vrasja mizore e Vanjës, prokurori: Kemi provat e implikimit të
Vanja Gjorcevska

SHKUP - Kanë kaluar më shumë se 20 ditë nga vrasja e adoleshentes Vanja (14 vjeçe) dhe Pançe Zhezovskit në Maqedoninë e Veriut. Pothuajse të gjithë të dyshuarit janë në paraburgim në Shkup, përveç Ljupça Palevskit - njeriu që dyshohet se ka qenë vrasësi i Vanjës dhe Pançes. Ai është arrestuar në Turqi dhe pritet ekstradimi, ndërsa kryeprokurori Bubevski së fundi ka folur për detaje nga rasti që shkaktoi bujë.

Vanja u rrëmbye më 27 nëntor të këtij viti para pallatit ku banonte. Ajo u mor peng nga rrëmbyesit e udhëhequr nga Palevski, në momentin që ishte duke shkuar në shkollë. Siç u zbulua më vonë, babai i saj Aleksandër zbuloi lëvizjet e adoleshentes për grupin e Palevskyt dhe kështu ndihmoi në rrëmbimin e saj. Dyshohet se rrëmbimi ka ndodhur që nëna e Vanjës, Zorica, të jepte para.

Detaje nga dosja

Kryeprokurori i Shkupit, Gavril Bubevski, së fundi ka folur për mënyrën se si po zhvillohet hetimi për vrasjen e dyfishtë në Maqedoninë e Veriut. Kryetari i Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit, Bubevski tha se aktualisht janë duke u shqyrtuar provat materiale në lidhje me hetimin për vrasjen e Vanjës nga Shkupi dhe Pançe Zhezovskit nga Velesi, të cilat përputhen me deklaratat e të dyshuarve, që janë në paraburgim.

“Hetimi për sa i përket veprimeve është në nivelin që ju thashë herën e kaluar dhe po shqyrtohen provat materiale. Mund t'ju them vetëm se provat fizike përputhen me atë që kanë thënë të dyshuarit. Kjo është mjaft e rëndësishme për ne” - tha Bubevski. Ai nuk ka dashur të japë një përgjigje konkrete nëse motivi i vrasjes mbetet i njëjtë – interesi financiar.

Njëra nga provat materiale kryesore, bashkë me faktet e tjera që do të dalin nga materiali dëshmues, do të përmendet në aktakuzë. Prokuroria e Shkupit thotë se gjithçka që mund të zbulojë detajet dhe motivet e krimit monstruoz është nën vëzhgim. Tani autoritetet turke janë në lëvizje, për t'iu përgjigjur kërkesës për ekstradimin e Ljupçe Palevskit, të cilin prokuroria e cilëson si planifikues, koordinator kryesor dhe autor të drejtpërdrejtë të vrasjeve të tmerrshme.

Presidenti Stevo Pendarovski në një intervistë për MRT tha se po mendon t'i dërgojë mesazh presidentit turk Erdogan, që ekstradimi të ndodhë sa më shpejt.

Njohja mes babait dhe Palevskyt

Ndërkohë, një nga misteret më të mëdha të ngjarjes është se çfarë raporti ka i ati i Vanjës dhe i dyshuari kryesor Ljupço Palevski. Apartamenti ku Vanja jetonte me motrën dhe nënën e saj është në pronësi të babait të saj, Aleksandrit. Ai është pronar i regjistruar në aktin e pronësisë. Sipas deklaratave të të dyshuarve, Aleksandri i ka thënë Ljupço Palevskit se vajza do shkojë në shkollë dhe është e vetme. Mësohet se 14-vjeçarja është rrëmbyer jashtë, në hyrje të ndërtesës, zonë tepër e njohur për Palevskyn. Kjo sepse kompania e tij e kishte ndërtuar kompleksin.

Rrëmbyesit atë ditë kishin me vete një çantë, shirit ngjitës dhe mjete për lidhjen e duarve dhe këmbëve. Disa ditë më parë, më 22 nëntor, ata i vodhën një citroen të vrarit Pançe Zhezovski. Ka shumë spekulime për faktin se Aleksandri kishte borxhe në lojërat e fatit dhe për këtë arsye ai donte të zhvaste para nga Zorica. Gazetari maqedonas Kristijan Landov thotë se ky është variant që po flitet më së tepërmi nga qytetarët në Maqedoninë e Veriut.

Babai i Vanjës dyshohet se i ka treguar vrasësit sesi, kur dhe ku do të lëvizë Vanja atë ditë. Kjo është arsyeja pse vrasësi planifikoi gjithçka në mënyrë të saktë. Sipas atyre që e njohin, Aleksandri ishte një person problematik, bixhozxhi dhe narkoman. Ai vjen nga një familje e pasur nga Shkupi, babai i tij ishte regjisor dhe punonte në Poloni. Pandjeshmëria e tij tronditi opinionin publik. Velibor Manev, Vlatko Keshishev dhe Boret Videvski janë vënë në pranga, dëshmitë e të cilëve zbuluan dhe rolin e babait të të miturës. Ndërsa autori, Ljupço Palevski-Palço, një biznesmen e politikan dhe personazh kontrovers, është arrestuar në Turqi. /ZËRI/

Poll

MOS HUMB