Bota

Vrasja e Liridona Murselit/ Gjykata cakton masën me paraburgim ndaj të dyshuarit të katërt

Personi i katër është arrestuar, pasi dyshohet se i ka shitur armën Naim Murselit dhe Granit Plavës, që më pas është përdorur për të vrarë të renë

f.t
Vrasja e Liridona Murselit/ Gjykata cakton masën me paraburgim ndaj të
Naim Murseli dhe Liridona Murseli

KOSOVË- Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën me paraburgim ndaj të akuzuarit të katërt, Tomë Dodaj për vrasjen e Liridona Ademaj-Murseli. Emri i Dodajt ka dalë nga dëshmitë e tre të arrestuarve të tjerë. Bëhet fjalë për bashkëshortin e viktimës, Naim Murseli, i cili porositi vrasjen, Granit Plava, autori i vrasjes dhe Kushtrim Kokalla, nipi i Naim Murselit, që bashkëpunoi në krim.

Personi i katër është arrestuar, pasi dyshohet se i ka shitur armën Naim Murselit dhe Granit Plavës, që më pas është përdorur për të vrarë Liridonën.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.D me datë 29.11.2023 rreth orës 14:00 në vendin e tij të punës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë apo materie plasëse, ia ka shitur armën të dyshuarve N.M dhe G.P, për të cilën dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale Vrasje e Rëndë e të dëmtuarës- tani të ndjerës L.M.”-thuhet në deklaratë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurit T.D për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimit, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse nga neni 364 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.D ka kryer veprën penale, andaj nëse i njëjti gjendet në liri, mund të ndikoj në të dëmtuar dhe në dëshmitarë, si dhe ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në deklaratën e gjykatës.

Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 28 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si grabitje, por pas 48 orëve u zbulua se urdhri për ekzekutimin e të resë ishte dhënë nga vetë bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Ai e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij. 15 mijë ia kishte dhënë para vrasjes, dhe 15 të tjera do ia jepte në përfundim të krimit. Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur. Në pranga ka rënë dhe Kushtrim Kokalla, i afërm i Murselit që akuzohet si bashkëpunëtor në krim./ZËRI

Poll

MOS HUMB