
RUSI-Një 29-vjeçar është vënë në pranga për vrasjen e kreut të forcave të armëve kimike të ushtrisë ruse, Igor Kirillov. Lajmi u njoftua të mërkurën në mëngjes nga autoritetet ruse. Siç raporton TASS, 29-vjeçari ishte rekrutuar nga Kievi.
Kreu i Forcave të Mbrojtjes Bërthamore, Biologjike dhe Kimike të Rusisë, gjenerallejtënant Igor Kirillov, u vra dje më 17 Dhjetor nga një mjet shpërthyes i vendosur në një skuter pranë një blloku banimi në Moskë.
Incidenti ndodhi një ditë pasi shërbimi i sigurisë i Ukrainës raportoi se prokurorët ukrainas ngritën një akuzë kundër Kirillov, duke e akuzuar atë si përgjegjës për përdorimin e armëve kimike kundër trupave ukrainase gjatë luftës së nisur nga pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia.
Ukraina nuk ka komentuar ende mbi informacionin. /ZËRI