
SHBA – Presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky do të shfaqet përmes një videoje, gjatë një konference, një ditë përpara se Senati Amerikan të planifikojë të bëjë votimin e parë procedural mbi një paketë ndihme urgjente, që përfshin më shumë se 60 miliardë dollarë për Kievin. Paratë janë mbajtur ‘peng’ për javë të tëra nga një mosmarrëveshje për politikën e brendshme në Kongres, pasi Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se fondet ekzistuese do të mbarojnë deri në fund të vitit dhe se presidenti rus Vladimir Putin mund ta fitojë luftën, nëse ligjvënësit dështojnë të veprojnë.
"Ne nuk mund të vendosim kurrë një çmim për mbrojtjen e demokracisë, sepse nëse Ukraina bie, Putini do të vazhdojë të sulmojë", tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, ndërsa njoftoi fjalimin e Zelenskyyt në Senat. "Autokratët në mbarë botën do të trimërohen. Demokracia, ky eksperiment madhështor dhe fisnik, do të hyjë në një epokë rënieje", shtoi Schumer. Me qëllim që të marrin më tepër fonde, disa zyrtarë të lartë ukrainas po bënin xhiro në kryeqytetin amerikan personalisht, së bashku me kryetarin e parlamentit të vendit, si pjesë e një përpjekjeje të koordinuar lobimi.
Zyrtarë të lartë të administratës amerikane, duke përfshirë Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin dhe Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare Avril Haines do të marrin pjesë në konferencën me dyer të mbyllura. Kongresi është më i ndarë se kurrë në lidhje me mbështetjen për Ukrainën. Republikanët e Senatit po kushtëzojnë mbështetjen e tyre për financimin, që demokratët e presidentit Joe Biden ta çojnë para, sepse duan të adresojnë krizën e emigrantëve në kufirin jugor – reforma që demokratët tashmë i kanë përkufizuar si ekstreme.
'Ndryshim transformues'
Schumer ka bërë një votim të mërkurën për tejkalimin e pengesës së parë procedurale për adresimin e kërkesës së Biden për ndihmë prej 106 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin. Por nevojiten 60 vota në Senat, nga në total 100 anëtarë dhe pakica republikane prej 49 anëtarësh duket se do ta ‘fundosë’ paketën, pasi ajo lë jashtë reformat e tyre të imigracionit. Republikani i Teksasit, John Cornyn, tha në një fjalim në Senat se propozimi kishte zero shanse për t'u bërë ligj. "Siguria jonë nuk mund të jetë e dyta pas asaj të vendeve të tjera në mbarë botën, aleatëve tanë, madje edhe kur është fjala për Ukrainën dhe Izraelin", tha ai.
Edhe nëse të dyja palët arrijnë një marrëveshje në Senat, do të jetë shumë e vështirë që gjërat të shkojnë përpara për Dhomën e Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët, ku konservatorët kanë qenë më skeptikë për financimin e Ukrainës. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, konfirmoi publikisht për herë të parë në një letër drejtuar Shtëpisë së Bardhë të martën se partia e tij nuk do të kalojë ndihmën për Ukrainën, nëse Kongresi nuk miraton ndryshime transformuese në ligjet e sigurisë kufitare të SHBA.
Andriy Yermak, një ndihmës i Zelenskyyt, falënderoi amerikanët për mbështetjen e tyre deri më tani në një paraqitje në Uashington disa orë përpara fjalimit të planifikuar të presidentit - por shtoi se nevojitet më shumë ndihmë për të siguruar fitoren. "Ne na duhet shumë ndihmë. Populli ynë beson se nëse ka ndihmën e duhur, do ia dalë të fitojë", tha Yermak në Institutin e Paqes në SHBA. Rusia pushtoi Ukrainën në mars 2022./Zëri.ai/