
BRUKSEL- “Jemi në prag të një krize institucionale,”- tha për "Politico", Valerie Ayer, presidente e grupit liberal "Renew Europe", ndërsa Ursula von der Leyen përballet me një sfidë të fortë për pozicionin e saj si Presidente e Komisionit Evropian. Grupet politike kërcënuan të tërhiqnin mbështetjen e tyre pas vendimit të saj për të anuluar legjislacionin miqësor ndaj klimës.
Grupet socialiste dhe liberale e akuzuan Von der Leyen se po mban anën e forcave të ekstremit të djathtë, të cilat kërkojnë që BE të braktisë të gjitha politikat e saj të gjelbra, dhe se po injoron vullnetin e grupeve të atyre që e votuan atë në krye të detyrës. Tërheqja e ligjit të gjelbër këtë javë mund të jetë pika e "vlimit" për socialistët dhe liberalët, të cilët janë zhgënjyer edhe nga disa veprime të tjera të von der Leyen, përfshirë të ashtuquajturën histori "Pfizergate", për të cilën Gjykata e Drejtësisë e BE-së vendosi kundër Komisionit Evropian për të mos i bërë publike mesazhet me tekst midis Presidentes dhe kreut të kompanisë së vaksinave Pfizer gjatë pandemisë.
“Në debatin për Pfizergate, ne e mbrojtëm atë nga kjo, nëse kjo vazhdon kështu, ne do të ndalojmë së mbrojturi atë”, tha një zyrtar i lartë i Renew. Ndërsa nuk ka koalicione formale në Parlamentin Europian, PPE-ja e qendrës së djathtë, socialistët dhe liberalët - gjerësisht rryma tradicionale pro-BE - mbështeten te njëri-tjetri për suport, e madje nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në nëntor.
Megjithatë, PPE-ja është rreshtuar vazhdimisht me grupet politike të krahut të djathtë dhe të ekstremit të djathtë në Parlament për të çuar përpara masat për të përcaktuar axhendën ose për të “vrarë” dosjet ekologjike. Kjo është ajo që bënë ata këtë javë, kur nxorën një raport mbi financimin e projekteve të zhvillimit dhe dy projektligje mbi inteligjencën artificiale dhe patentat. Kështu krijuan një organ të ri për të kontrolluar financimin e OJQ-ve.
“Problemi tani është se Komisioni po i përgjigjet gjithashtu shumicës alternative të krahut të djathtë dhe jo platformës së qendrës,”- tha zyrtari, i cili preferoi të prononcohej anonimisht.
Një zyrtar socialist shtoi se situata vuri në pikëpyetje të gjithë bazën mbështetëse të Von der Leyen./ZËRI