
SPANJË- Me një skenar të denjë për filma aksion, një bandë kriminelësh organizoi një grabitje në Cala Millor, një atraksion i populluar nga turistët gjermanë në lindje të Mallorcas. Ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje (18 gusht), kur grabitësit, të cilët dyshohet se janë nga Shqipëria, arritën të depërtonin në selinë e një rrjeti të njohur hotelesh, ku hodhën në erë dy kasaforta dhe vodhën bizhuteri dhe para të shumta.
Guardia Civile është duke hetuar ngjarjen dhe po kërkon kriminelët e arratisur. Hetuesit spanjollë dyshojnë se banda shqiptare kishte monitoruar selinë e hotelit për disa ditë dhe kishte përdorur pajisje speciale për të realizuar grabitjen. Grabitësit duket se ishin të informuar saktësisht mbi vendndodhjen e kasafortave, çka ngre dyshimet për përfshirje të një personi të brendshëm në këtë akt kriminal. Për të shmangur sistemet e alarmit, ata kishin ndërprerë rrjetin WiFi në të gjithë zonën përreth, duke e bërë operacionin edhe më të sofistikuar.
Ngjarja u zbulua të dielën në mëngjes kur punonjësit e hotelit hynë në ndërtesë. Hetuesit janë duke shqyrtuar pamjet e kamerave të sigurisë dhe po hetojnë një sulm tjetër të ndodhur të dielën në mëngjes në një kompani peshkimi në Capdepera, ku gjithashtu u hap një kasafortë. Dyshohet se edhe ky sulm mund të jetë vepër e së njëjtës bandë, e cila përbëhet nga shqiptarë./ ZËRI