Bota

Fundoset anija me emigrantë në lumin Drina, 7 persona të zhdukur

Serbia është pjesë e “rrugës ballkanike” përmes së cilët emigrantët kalojnë për të shkuar drejt Evropës perëndimore.

I.F
Fundoset anija me emigrantë në lumin Drina, 7 persona të zhdukur
Lumi Drina

BEOGRAD- Një anije me emigrantë, të cilët po tentonin të kalonin nga Serbia në Bosnje e Hercegovinë është fundosur në lumin Drina gjatë natës. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç.

“Mëngjesin e sotëm, rreth orës 05:00, policia kufitare në Llubovi u informua nga autoritetet kufitare të Bosnje e Hercegovinës, por edhe nga qytetarët, që gjatë natës një anije me emigrantë është fundosur në Drina. Ata po tentonin ta kalonin lumin nga Serbia nga qyteza Dërllaça në komunën e Llubovisë dhe Orliçit në komunën Zvornikut”, tha Daçiç.

Menjëherë pasi u lajmëruan, forcat e policisë dhe Departamenti për Situata Emergjente shkoi në vendngjarje. Kërkimet në lumë janë ende duke u zhvilluar, thanë autoritetet serbe.

Sipas emigrantëve që u shpëtuan në anije ishin 25 persona. Policia, zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit kanë shpëtuar 18 prej tyre dhe 7 të tjerë rezultojnë të zhdukur, në mesin e tyre janë edhe tre fëmijë.

Serbia është pjesë e “rrugës ballkanike” përmes së cilët emigrantët kalojnë për të shkuar drejt Evropës perëndimore. Në 10 vitet e fundit, në lumin Drina kanë humbur jetën të paktën 40 emigrantë, teksa po tentonin ta kalonin atë, sipas të dhënave të Radios Evropa e Lirë deri në shkurt të vitit 2024.

Vitin e kaluar, më shumë se 10,000 emigrantë kanë kaluar përmes Serbisë, apo 12% më pak se në vitin 2022, sipas të dhënave të Komisariatit serb për Refugjatë dhe Migrim.

Gjithashtu, autoritetet serbe bëjnë me dije se numri i emigrantëve që kanë kaluar përmes Serbisë këtë vit është 80 për qind më i ulët sesa më 2023. /REL

Poll

MOS HUMB