
SHKUP- Partitë opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut këtë të shtunë, më 17 shkurt, kanë firmosur deklaratën për bashkimin opozitar shqiptar, që e vlerësojnë si një hap të rëndësishëm drejt unifikimit të partive shqiptare në këtë shtet.
Koalicioni opozitar do të mbajë emrin VLEN, teksa deri më tani quhej Lidhja Europiane për Ndryshim (LEN). “Bashkimi po hedh themelet e një epoke të re mes partive shqiptare në vend, duke shfaqur një unitet të përbashkët për të përballuar sfidat dhe për të ndërtuar një vizion të përbashkët për të ardhmen e shqiptarëve në vend”, thuhet në deklaratën e nënshkruar në Shkup. Deklarata është nënshkruar edhe nga Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Partia e Kurtit mbështet opozitën shqiptare në RMV.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila drejtohet nga Albin Kurti do të ketë anëtarë të saj në listat zgjedhore, për zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më datë 8 maj. Pjesë e opozitës janë partitë, që deri më tani përbënin Lidhjen Europiane për Ndryshim, Lëvizja Demokratike, Alternativa, Lëvizja Besa. Tashmë pjesë e tyre është edhe Aleanca për Shqiptarët, e cila drejtohet nga Arben Taravari.
Arben Taravari, ditën e enjte, më 15 shkurt shpalli kandidaturën për president të Maqedonisë së Veriut, për zgjedhjet e 24 prillit. Ai ka mbështetjen e të gjitha partive opozitare dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Unë s’dua më të përmend kundërshtarë politikë, ne do ta bëjmë betejën politike me një sistem të kalbur 22-vjeçar që i mërgoi shqiptarët, i nënçmoi shqiptarët në çdo aspekt, e prishi dhe shkatërroi të gjithë sistemin e vlerave që ekzistonin te shqiptarët. Prandaj, kundërshtari jonë është sistemi i kalbur. Lëvizja po vjen, Lëvizja do ta sjellë ndryshimin më 8 maj”, tha Taravari.
Përpara shpalljes të kandidaturës, Arben Taravari dhe përfaqësues të tjerë opozitarë kanë pasur një takim në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Temë e debatit ka qenë edhe nevoja për shqiptarët të dalin me kandidat për president të RMV./ZËRI/