
BRITANI E MADHE- Zbulohet zhurma që është dëgjuar gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit të nëndetëses Titan. Nëndetësja u zhduk gjatë një ekspedite në rrënojat e Titanikut të dielën më 18 qershor 2023.
Tingulli "i zbrazët", i luajtur për herë të parë në një dokumentar, ka një ritëm të rregullt dhe të qëndrueshëm që tërhoqi vëmendjen e ekspertëve dhe kishte ngritur shpresat se mund të ishte një sinjal SOS i lëshuar nga pesë pasagjerët në bord.
"Mund të jetë dikush duke trokitur, simetria midis këtyre goditjeve është shumë e pazakontë. Është ritmike, është sikur dikush po e nxjerr këtë tingull dhe fakti që ai përsëritet është vërtet i pazakontë," thekson në dokumentar ish-kapiteni i nëndetëseve të Marinës Ryan Ramsey.
Dokumentari i ri, që do të publikohet për të shënuar një vjetorin e tragjedisë në qershor, shikon prapaskenat e operacionit të kërkimit shumë milionë dollarësh.
Në bord kishte pesë pasagjerë: turistët Hamish Harding, 58 vjeç, Shahzada Dawood, 48 vjeç dhe djali i tij Sulaiman Dawood, 19 vjeç, piloti i Marinës Franceze Paul-Henry Nargeolet dhe CEO i OceanGate , Stockton Rush. Në mënyrë tragjike, shpresat e ngritura nga tingulli misterioz i trokitjes u shuan më vonë. Nëndetësja e ekipit të kërkimit Pelagic, Odysseus 6K, arriti në fund të detit pas ditësh kërkimesh dhe më 22 qershor gjeti mbeturina të nëndetëses, rreth 1600 metra nga harku i Titanikut./ZËRI