
BERLIN- Një valë e re protestash ka nisur këtë të hënë në Berlin nga anëtarët e grupit për klimën “Gjenerata e Fundit”, të cilët bllokuan disa nga akset kryesore të kryeqytetit gjerman. Ata ripërsëriten thirrjen për dhënien fund të përdorimit të lëndëve djegëse të papërpunuara.
Edhe linjat e autobusëve janë prekur nga protestat. ‘’Gjenerata e Fundit’’ ka thënë se protestën e ka nisur në 23 lokacione në kryeqytetin gjerman, përfshirë daljet nga autostrada dhe rrugët që të çojnë në Berlin.
Në disa zona, aktivistët u shtrinë dhe u ngjitën në asfalt, raporton policia vendase. Kjo metodë është e përsëritur nga ata dhe në protesta të tjera. Ngjitësja e përdorur prej tyre në disa raste ishte shumë e fortë duke e vështirësuar punën për largimin e tyre.
Qyteti i Berlinit i ka angazhuar 500 zyrtarë policorë për t’u marrë me bllokadat. ‘’Gjenerata e Fundit’’, e cila i ka organizuar protestat për klimën prej vitit 2022, ka bërë të ditur më 8 shtator se do ta nisë valën e re të protestave, pa datë të mbarimit.
Kërkesat e grupit janë që t’i jepet fund përdorimit të lëndëve djegëse të papërpunuara deri më 2030. Aktualisht, Qeveria gjermane planifikon që ekonominë gjermane ta bëjë neutrale ndaj klimës deri më 2045.
Të dielën, anëtarët e grupit kanë gjuajtur me ngjyrë portokalli drejt Portës ikonë të Berlinit Brandenburg, duke nxitur kritika të ashpra. Për shkak të protestave katërmbëdhjetë persona janë arrestuar dhe gjashtë prej tyre janë ende në mbajtje./Zëri