
KOSOVË- Frika për një sulm të ri në veri të Kosovës vijon të jetë e madhe. Policia e Kosovës gjatë patrullimit në fshatin Banjskë të Zveçanit, në afërsi të një kodre ka gjetur një flamur të Serbisë, të cilin e ka sekuestruar.
Pranë flamurit policët kanë gjetur 34 gëzhoja, një karikator të armës AK-47 dhe 689 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Policia e ka cilësuar rastin “armëmbajtje pa leje”.
Kontrollet janë shtuar në veri të Kosovës, pas sulmit në Banjskë ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Çfarë ndodhi në veri të Kosovë?
Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serb sulmoi një njësi patrulluese të policisë së Kosovës në një rrugë në fshatin Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, grupi i sulmuesve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi një përleshje me zyrtarët policorë. Gjatë përplasjes u vranë tre sulmues. Kosova ka fajësuar për këtë sulm, që e cilëson terrorist Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të. Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka pranuar se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë. Kosova ka publikuar dëshmi për përfshirjen e Radoiçiçit në ngjarjet në veri, përfshirë edhe pamje të inçizuara me dron ku ai shihet i veshur me uniformë dhe i armatosur në manastirin e Banjskës më 24 shtator.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin, teksa u kanë bërë thirrje palëve që të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Brukseli. Në BE po ashtu disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet nëse vërtetohet se ka qenë e përfshirë në sulm. /ZËRI