Bota

Vendet e BE-së paralajmërojnë për rritje të propagandës ruse para zgjedhjeve në bllok

Ato kanë paralajmëruar gjithashtu se do të ketë shpërndarje të madhe të përmbajtjes propaganduese para zgjedhjeve në Bashkim Evropian në qershor.

Redaksia Zëri
Vendet e BE-së paralajmërojnë për rritje të
Ministrat e Jashtëm të Francës (në mes), Gjermanisë (majtas) dhe Polonisë gjatë një konference të përbashkët në Paris

PARIS- Franca, Polonia dhe Gjermania e kanë akuzuar të hënën Rusinë se po e përgatit një rrjet të hollësishëm të uebsajteve për të përhapur propagandë proruse, në mënyrë që t’i minojë qeveritë e tyre. Ato kanë paralajmëruar gjithashtu se do të ketë shpërndarje të madhe të përmbajtjes propaganduese para zgjedhjeve në Bashkim Evropian në qershor.

Vendet e Perëndimit i kanë akuzuar vazhdimisht operativët rusë se po i përdorin rrjetet sociale dhe internetin për të shpërndarë të dhëna të rrejshme apo mashtruese për t’i minuar ato, për ta promovuar Rusinë, apo për ndryshuar opinionin publik në vendet e tyre kundër mbështetjes së Ukrainës në luftën e saj nga pushtimit rus.

“Jemi në një kohë të ndjeshme kur do të kemi zgjedhje evropiane dhe, sa i përket Francës, organizimin e Lojërave Olimpike”, tha ministri i Jashtëm i Francës, Stephane Sejourne, gjatë një konference të përbashkët për media me homologët e vet, atë gjermane dhe atë polak në Paris.

Ministrat thanë se e kanë themeluar një mekanizëm të përbashkët për t’i vërejtur dhe për t’iu përgjigjur sulmeve të mundshme ruse në internet.

Reuters raportoi se sipas burimeve diplomatike, VIGINUM, vazhduesi francez i cili monitoron ndërhyrjet e huaja digjitale, i ka identifikuar rreth 193 uebsajte të cilat synojnë të shpërndajë gjerësisht të dhëna nga burime proruse, si dhe nga media dhe institucionet ruse.

“Synimi duket të jetë mbulimi i konfliktit Rusi-Ukrainë duke e paraqitur ‘operacionin special ushtarak’ në mënyrë pozitive dhe duke i nënçmuar Ukrainën dhe liderët e saj”, tha një diplomat francez, duke iu referuar termit të Moskës për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Kremlini e ka mohuar vazhdimisht se përhap të dhëna të rrejshme apo mashtruese. Këshilli i Sigurimit i Rusisë i kishte përshkruar si absurde akuzat se Moska kishte bërë propagandë me informata të rrejshme për të ndikuar tek votuesit gjatë zgjedhjeve të Parlamentit Evropian më 2019.

Franca në veçanti i ka kritikuar aktivistët rusë në Afrikë, duke thënë se aktorët e lidhur me Moskën kanë tentuar ta zhvlerësojnë Parisin në Afrikën Perëndimore, në mediat e rregullta dhe në rrjetet sociale./REL

Poll

MOS HUMB