Bota

“Ulje taksash dhe të drejtat e abortit”, Kamala Harris premton një “dritë” të re në SHBA

Sondazhet tani i japin kandidates demokrate një epërsi të ngushtë ndaj Trump.

I.F
“Ulje taksash dhe të drejtat e abortit”, Kamala Harris premton
Kamala Harris

ÇIKAGO- “Në emër të të gjithë amerikanëve”, ishin këto fjalët e Kamala Harris kur pranoi vulën e Partisë Demokratike, duke u bërë zyrtarisht kandidate në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

"Unë premtoj të jem presidentja e të gjithë amerikanëve", tha zëvendës presidentja 59-vjeçare, e cila u brohorit nga të gjithë ata që ishin pjesë e Konventës së Demokratëve në Çikago. Duke mbajtur fjalimin e saj të shumëpritur, herë solemn dhe të ashpër, herë të zjarrtë, kandidatja e bëri të qartë se dëshiron të përcaktojë një "rrugë të re", sulmoi vazhdimisht kundërshtarin e saj, republikanin Donald Trump, ndërsa u zotua të "mbyllte" një marrëveshje në Lindjen e Mesme dhe për të luftuar kundër “tiranëve” dhe “diktatorëve”.

Pasi mbaroi së foluri, mes balonave në ngjyrat e simbolit kombëtar të SHBA-së, ajo qëndroi në skenë për një kohë të gjatë, teksa dukej se po shijonte brohoritjet dhe gëzimin e delegatëve. Në skenën gjigande ishte edhe bashkëshorti i saj Doug Emhoff, kandidati i saj, Tim Walz dhe anëtarët e familjeve të tyre.

“Ulje taksash dhe të drejtat e abortit”, Kamala Harris premton
Kamala Harris, bashkëshorti i saj Doug Emhoff, Tim Walz dhe bashkëshortja e tij

"Në emër të popullit, në emër të të gjithë amerikanëve, pavarësisht nga partia, raca, gjinia apo gjuha, si ata me të cilët jam rritur, që punojnë shumë, që përpiqen t'i bëjnë ëndrrat e tyre realitet, që kujdesen për njëri-tjetrin, nga të gjithë ata, historia e të cilëve nuk mund të shkruhet veçse në kombin më të madh në botë, unë e pranoj nominimin që më besoni për presidente të Shteteve të Bashkuara”, tha Harris duke hapur fjalimin.

Ajo theksoi se iu drejtohet të gjithë amerikanëve, pavarësisht nga "pikëpamjet e tyre politike".

Në fjalimin më të rëndësishëm të jetës së saj deri më sot, ish-prokurorja iu referua nënës së saj të ndjerë, një studiuese e kancerit të gjirit, e cila erdhi në SHBA nga India fillimisht për të studiuar.

“Kisha parë sesi njerëzit e trajtonin ndonjëherë. Por nëna ime nuk e humbi kurrë durimin. Ajo ishte e fortë, kishte guxim”, tha kandidatja, duke shtuar se ajo e mësoi të mos ankohej për padrejtësinë, por të vepronte për ta luftuar atë.

“Ulje taksash dhe të drejtat e abortit”, Kamala Harris premton
Kamala Harris gjatë fjalimit të saj

Ajo e sulmoi vazhdimisht kundërshtarin e saj republikan.

“Ne e dimë se si do të dukej një mandat i dytë i Trump. Gjithçka është shkruar në Projektin 2025”, tha ajo, duke iu referuar programit shumë konservator të hartuar nga bashkëpunëtorët e manjatit dhe që synonte, sipas saj, “ta kthejë vendin tonë në të kaluarën”.

“Ndryshe nga Trump, unë nuk do të bëhem kurrë një diktatore”, tha ajo, duke premtuar nga njëra anë të vazhdojë mbështetjen amerikane për Ukrainën dhe Izraelin, dhe nga ana tjetër do të garantojë “vetëvendosjen” e palestinezëve.

Harris foli gjithashtu për reformimin e sistemit "dekadent" të emigracionit të SHBA-së, si dhe një model ekonomik që do t'i lejonte të gjithëve të kenë sukses. Ajo premtoi të ulë taksat “për klasën e mesme" dhe premtoi të garantojë të drejtat e abortit në të gjithë vendin. Me sa duket, ajo që kërkoi Harris nuk ishte të parashtronte axhendën e saj në detaje, por përkundrazi të bindte popullin amerikan se ajo ishte e përshtatshme dhe gati për të marrë presidencën.

Ajo premtoi se do të ishte një presidente që do t’i bashkonte të gjithë, të qeveriste dhe të dëgjonte, të ishte praktike dhe realiste. Harris premtoi se do të ketë një logjikë të shëndoshë dhe, mbi të gjitha, të luftoj për amerikanët. Fjalimi i saj ndryshoi dukshëm tonin në kongresin e Demokratëve, i cili që nga e hëna ishte mbajtur në një atmosferë që të kujtonte një festë.

Shumica e delegatëve që shkuan në Çikago nga të gjitha shtetet amerikane ishin të veshur me të bardha. Kjo ngjyrë, simbolizon betejat politike të grave, me sa duket u zgjodh për të shprehur shpresën e tyre se ata do ta shohin Harris të bëhet gruaja e parë që do të marrë presidencën e Shteteve të Bashkuara, duke mposhtur Donald Trump më 5 nëntor.

Sondazhet tani i japin kandidates demokrate një epërsi të ngushtë ndaj Trump. Por kjo është larg garancisë së fitores së saj, 74 ditë para votimit, i cili do të vendoset, ashtu si në 2016 dhe 2020, në një pjesë të vogël të shteteve kyçe. Veç kësaj, fushata zgjedhore tashmë është shënuar me përmbysje spektakolare. Brenda katër javësh, amerikanët panë se presidenti i tyre aktual, Joe Biden, u largua nga gara dhe paraardhësi i tij, Donald Trump, për pak i shpëtoi një atentati.

Dhe kuverta ka të ngjarë të përzihet edhe më shumë sot. Sipas mediave amerikane, kandidati i pavarur presidencial Robert F. Kennedy Jr. po përgatitet të tërhiqet dhe të jetë në krah të miliarderit republikan.

"Ne nuk jemi të preferuarit”, tha Dan Kaninen, një zyrtar i fushatës për Harris, në një event të organizuar nga agjencia e lajmeve Bloomberg. Trump nga ana e tij ka vazhduar sulmin ndaj kundërshtarit të tij, i cili sipas saj synon të sjellë... “komunizëm” në vend. /ZËRI

Poll

MOS HUMB