
AZERBAJXHAN- Me orët që kalojnë, shtohet misteri për fatin e presidentit iranian, Ebrahim Raisi. Mediat vendase raportojnë jozyrtarisht se pak momente para rrëzimit, ekuipazhi i helikopterit të përfshirë në incident ka kërkuar ndihmë. Në telefonatën me kullën e kontrollit janë dëgjuar britma dhe më pas sinjali është ndërprerë pas disa sekondash.
Për ngjarjen, Irani thotë se helikopteri ka pasur një "ulje të vështirë", por se çfarë do të thotë kjo, e ka zbuluar eksperti i fushës, ish-piloti Alexander-Cooper. Ky i fundit tha për "Sky News" se termi "ulje e vështirë" mbulon një gamë të tërë skenarësh, nga një ulje mjaft e butë që "përkul pak metal" deri në një "përplasje katastrofike".
"Është një gamë shumë e gjerë e rezultateve të mundshme të cilave ata mund t'i referohen. Shpesh përdoret si kod përplasjeje. Në këtë situatë, duke parë motin dhe duke dëgjuar shembuj se si mund të jetë terreni, tingëllon si një zonë e tmerrshme për të bërë një ulje të detyruar dhe të paplanifikuar,"- shpjegon ish-piloti.
Por në mesin e pasagjerëve të zhdukur nuk ishte vetëm Ebrahim Raisi; ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme Hossein Amirabdolahiyan, Guvernatori i Azerbajxhanit Lindor Malik Rahmati dhe disa zyrtarë të tjerë./ZËRI