
SERBI- Pamjet që po shihni tregojnë Milan Radoiçiç-in në ambientet e Prokurorisë së Lartë të Serbisë. Ky i fundit u arrestua pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku.
Siç shihet në pamjet e publikuara nga mediat serbe, Radoiçiç duket krejt i qetë dhe pa pranga në duar në Prokurorinë e Lartë të Beogradit. Ndërkohë përveç ndalimit të tij, policia ka ushtruar kontroll edhe në ambientet e banesës dhe objekteve të tjera të Radoiçiçit.

Çfarë ndodhi në veri të Kosovës më 24 shtator?
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij. Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat. Autorësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiç, i cili gjithashtu hoqi dorë nga posti si nënkryetar i Listës Serbe.
Kush është Milan Radoiçiç
Milan Radoiçiç, emri i të cilit është i lidhur me shumë ngjarje që janë zhvilluar në veriun e Kosovës. Emri i tij ka qenë i lakuar dhe për vrasjen e politikanit serb lokal, Oliver Ivanoviç. Radoiçiç është cilësuar edhe si “bosi” i veriut të Kosovës.
Radoiçiç besohet se ka pasur lidhje të forta me shtetin e Serbisë dhe ngjarjet ku ai ka qenë përfshirë bëheshin edhe nën emrin e shtetit serb. Ndërsa, për ngjarjen në Banjskë, ai vetë tha se gjithçka e kishte planifikuar nga ai.
Radoiçiç kishte shumë pushtet në veriun e Kosovës, në strukturat paralele të Serbisë në Kosovë. Madje, shefin policor në veriun e Kosovës, Radoiçiç e kishte mik të afërm, duke bërë që edhe policinë në këtë anë të Kosovës ta kishte “nën vete”. Gjithashtu, thuhet se Milan Radoiçiç i ka shërbyer Vuçiçit, duke mbledhur vota për të, si dhe me anë të Listës Serbe, mbështeste vijën politike të Beogradit në Kosovë.
Ka dyshime se dhe në rrëmbimin e policëve të Kosovës nga territori i Republikës së Kosovës ta ketë kryer me urdhër vetë Radoiçiç. Shumë djegie të makinave në veri dyshohet se bëheshin nga grupi i Radoiçiç, që frikësonte çdokënd që mund të bënte me të rivalitet.
Sulme me granata
Raportohet se Radoiçiç nuk frikësonte kundërshtarët vetëm me djegie makinash, por edhe me hedhje granatash. Në një rast, dyshohet se grupi i Radoiçiç ka hedhur granata në shtëpinë e dy serbëve, vetëm pse ata ishin bërë pjesë të Policisë së Kosovës.
Radojicic ishte përfshirë edhe në një sulm ndaj ish-koordinatorit serb për dialog, Borko Stefanovic, në një kafene në veri. Në këtë rast, policia nuk kishte ndërhyrë dhe dyshohet se mosndërhyrja e forcave policore ka qenë sepse Radoiçiçi kishte kontroll mbi forcat e rendit. Për përfshirje të Radoiçiç në krime si kontrabanda dhe shitja e automjeteve kanë shkruar dhe mediat serbe. Vuçiç e kishte mbrojtur Radoiçiçin, duke thënë se “nuk ka prova që lidhin emrin e tij me vrasjen e Ivanoviç”./Zëri.ai