Bota

Turqia mban sot zgjedhjet lokale, të gjithë sytë janë nga Stambolli. Qyteti që mund të ndryshojë trajektoren

Sondazhet sugjerojnë një garë të ngushtë mes dy rivalëve kryesorë në Stamboll

E.K
Turqia mban sot zgjedhjet lokale, të gjithë sytë janë nga
Erdogan

TURQI- Më shumë se 60 milionë qytetarë, do t’i drejtohen sot qendrave të votimit në Turqi, për të zgjedhur drejtuesit e pushtetit lokal. Lufta më e madhe, dhe përcaktuesja e këtyre zgjedhjeve, sipas analistëve, pritet që të jetë gara për bashkinë e Stambollit. Partia e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan AKP po përpiqet ta rimarrë pushtetin në Stamboll, qytetin kryesor të Turqisë, që dikur ishte baza e tij.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve vendore mund të ndryshojë trajektoren e Turqisë, ndërsa kandidati i Erdogan për Stambollin është Murat Kurum. Gjatë fushatës së tij elektorale, Kurum ka premtur ndërtimin e 500 mijë banesave të reja, për të mbrojtur Stambollin nga kërcënimi i tërmeteve.

Kryebashkiaku i tanishëm, Ekrem Imamoglu nga partia kryesore opozitare Partia Popullore Republikane, CHP, po paralajmëron se rikthimi i qeverisjes së AKP-së do të nënkuptonte ndërtimin e pakontrolluar në Stamboll.

“Këto zgjedhje janë të rëndësishme për t’u dhënë përgjigje problemeve të pazgjidhura të qytetit, problemeve që janë përkeqësuar”, thotë ai.

Në Stamboll, një qytet me 16 milionë banorë që drejton ekonominë e Turqisë, sondazhet sugjerojnë një garë të ngushtë pasi Imamoglu përballet me një sfidë nga kandidati i AKP-së Murat Kurum, ish-ministër.

Fitorja e papritur e Imamoglu në zgjedhjet e vitit 2019 i dha fund qeverisjes 30 vjeçare të partisë së Presidentit Erdogan në Stamboll. Ajo u mundësua falë një aleance të gjerë zgjedhore ndërmjet partisë pro-kurde dhe partisë nacionaliste turke.

Por kjo aleancë u shpërbë pasi pësoi disfatë ndaj Presidentit Erdogan në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

“Koalicioni opozitar është i përçarë. Të gjithë kanë dalë me kandidatët e tyre… Gara është e ngushtë ose ndoshta zoti Ekrem Imamoglu ka epërsi disa pikëshe, provë e aftësisë së jashtëzakonshme të tij për të bërë fushatë dhe gabimeve diletante të Murat Kurumit”, thotë Atilla Yesilada, analist pranë “GlobalSource Partners”.

Fushata e Imamoglu po transmeton video fushate për të fituar votat e kurdëve, në përpjekje për të rindërtuar aleancën e tij elektorale.

Në kushtet kur opozita ende nuk është rimëkëmbur nga disfata zgjedhore e vitit të kaluar, mbajtja e pushtetit në Stamboll, sipas analistëve, do t’ia shtonte gjasat për të sfiduar sërish Presidentin Erdogan.

“Zgjedhjet vendore të marsit japin shpresë se opozita mund të mobilizohet sërish dhe të paktën të mbrojë disa nga hapësirat e gjelbra ne lagjet e qytetit. Në këtë pikë ku jemi, është e rëndësishme që opozita të ruajë veten, të mbrojë shpresën se dikur, në të ardhmen, mund të ndodhë një ndryshim i vërtetë në shoqëri, në politikë”, thotë Sezin Oney, analiste e portalit “Politikyol”.

Ndërkohë që pakënaqësitë e popullatës me inflacionin e lartë po rriten, Presidenti Erdogan po viziton vendin, duke nxitur përkrahësit e tij t’u kërkojnë miqve dhe familjarëve të tyre në Stamboll që të votojnë.

“Nëse Erdogani fiton në Stamboll, votuesit e opozitës kurrë më nuk do të dalin në zgjedhje. Dhe pastaj çfarëdo që Erdogani ka në plan të bëjë, për shembull, t’i japë vetes një mandat të tretë, do ta ketë më të lehtë ta arrijë për shkak të kësaj apatie të votuesve. Së dyti, zoti Imamoglu ka gjasa të jetë rivali i tij i vetëm në zgjedhjet e ardhshme presidenciale”, thotë Atilla Yesilada, analist pranë “GlobalSource Partners”.

Analistët thonë se një fitore në Stamboll do t’i mundësonte zotit Erdogan të forcojë pushtetin e tij. Për zotin Imamoglu, fitorja do të konfirmonte se është i denjë për ta mundur zotin Erdogan./ZËRI 

Poll

MOS HUMB