
STAMBOLL - Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit të Turqisë miratoi të martën kërkesën e Suedisë për t'u anëtarësuar në NATO, duke e vendosur vendin nordik një hap më afër anëtarësimit në aleancën ushtarake. Nuk është caktuar një datë për votim dhe kreu i komitetit të punëve të jashtme u tha gazetarëve të mos prisnin që kjo të ndodhë shpejt. Që kur Suedia aplikoi për t'u bashkuar me NATO-n pas pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar, Turqia e ka vonuar vazhdimisht procesin, duke thënë se Suedia, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja duhet të plotësojnë kërkesat turke.
Si Suedia ashtu edhe Finlanda aplikuan për t'u anëtarësuar në NATO, një proces që kërkon mbështetje unanime nga 31 shtetet anëtare të aleancës. Turqia fillimisht i bllokoi të dyja, dhe megjithëse që atëherë është hequr dorë nga Finlanda, duke i hapur rrugën atij vendi për t'u bashkuar me NATO-n në mars, Turqia vendosi veto ndaj Suedisë.
Udhëheqës të shumtë të NATO-s kanë thënë se Suedia ka bërë gjithçka që është e nevojshme për t'u bashkuar dhe vonesat e përsëritura të Turqisë në miratimin e hyrjes së Suedisë në aleancë kanë zemëruar anëtarët e tjerë të NATO-s, të cilët e shohin Turqinë si një shtet, që përdor faktin se është anëtare e aleancës Veri-Atlantike. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, përveç argumentit se Suedia duhet të ‘godasë’ më shumë disidentët që vendi i tij i konsideron terroristë, e ka lidhur miratimin e pranimit të Suedisë me mosmarrëveshjet që Turqia ka me anëtarët e tjerë të NATO-s.
Nga Shtetet e Bashkuara, Turqia kërkon një paketë prej 20 miliardë dollarësh me avionë luftarakë F-16 të prodhimit amerikan dhe asete të përmirësuara për avionët që ajo tashmë i ka. Administrata Biden ka thënë se e mbështet dhënien e armatimeve, por anëtarët e Kongresit e kanë kundërshtuar, duke përmendur të dhënat e Turqisë për të drejtat e njeriut dhe qëndrimin e saj ndaj Suedisë. Z. Erdogan ka vënë në dukje gjithashtu se vendimi për Suedinë i takon parlamentit turk, por në Kuvendin e Turqisë, partia e Erdogan ka më tepër vota. “Nëse ju keni Kongresin tuaj, unë kam Parlamentin tim,” u tha z. Erdogan gazetarëve turq në komentet e publikuara më 8 dhjetor./ZËRI/