
BRUKSEL- Pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur 25% tarifa për eksportet e çelikut dhe aluminit nga Bashkimi Evropian, kanë ardhur dhe reagimet e para nga BE. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se BE do të përgjigjet ndaj tarifave të vendosura nga Trump.
"Tarifat e pajustifikuara të vendosura ndaj BE nuk do të mbeten pa përgjigje - ato do të shkaktojnë kundërmasa të forta dhe proporcionale", tha në një deklaratë Von der Leyen.
“Më vjen thellësisht keq për vendimin e SHBA për të vendosur tarifa ndaj eksporteve evropiane të çelikut dhe aluminit. Tarifat janë taksa – të dëmshme për bizneset, më keq për konsumatorët. Tarifat e pajustifikuara ndaj BE-së nuk do të mbeten pa përgjigje, ato do të shkaktojnë kundërmasa të forta dhe proporcionale. BE-ja do të veprojë për të mbrojtur interesat e saj ekonomike. Ne do të mbrojmë punëtorët, bizneset dhe konsumatorët tanë”, theksoi Ursula von der Leyen në deklaratën e saj.

"BE do t'i përgjigjet në mënyrë proporcionale tarifave"
“BE-ja do të mbrojë interesat e saj dhe do të përgjigjet në mënyrë të vendosur dhe proporcionale me kundërmasa ndaj tarifave të pajustifikuara të SHBA-së”, tha komisioneri për tregti, Maros Sefkoviç, gjatë fjalimit të tij në seancën plenare të Parlamentit Evropian sot në Strasburg.
Komisioneri i Tregtisë shprehu zhgënjimin e tij për rivendosjen e tarifave nga SHBA-të ndaj eksporteve evropiane, duke theksuar se ato janë të pajustifikuara dhe të dëmshme për të gjitha palët.
“Fatkeqësisht, tarifat u vendosen”, tha Shefkoviç. Ai lajmëroi eurodeputetët se presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një deklaratë që vendos tarifa 25% për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit në SHBA nga 12 marsi, ndërsa ka njoftuar tarifa reciproke për produktet e tjera që vijnë këtë javë.
“Na vjen shumë keq për këto vendime dhe njoftime. BE nuk sheh asnjë justifikim për vendosjen e tarifave ndaj eksporteve tona, gjë që është ekonomikisht kundërproduktive”, theksoi Shefkoviç.
“Tarifat janë të dëmshme për bizneset dhe konsumatorët”
“Tarifat janë taksa që janë të dëmshme për bizneset dhe për konsumatorët”, theksoi ai, duke paralajmëruar se me tarifa, SHBA do të taksojë qytetarët e saj, do të rrisë kostot e bizneseve të saj dhe do të nxisë inflacionin. Ai vuri në dukje, në fakt, se tarifat nuk janë vetëm të dëmshme për partnerët tregtarë të përfshirë drejtpërdrejt, por gjithashtu rrezikojnë ndikime negative në sistemin tregtar global në tërësi.

Megjithatë, ai shtoi se ky nuk është skenari që BE preferon: “Ne mbetemi të përkushtuar ndaj dialogut konstruktiv. Ne jemi të gatshëm për negociata dhe për të gjetur zgjidhje të dobishme reciproke kudo që të jetë e mundur”.
Vlen të theksohet se Donald Trump vendosi të vendosë tarifa 25% për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit në SHBA, pa përjashtim për asnjë produkt, duke rritur rrezikun e një lufte tregtare.
“Sot po thjeshtoj tarifat tona për çelikun dhe aluminin në mënyrë që e gjithë bota të kuptojë se çfarë nënkuptojnë ato. Është 25%, pa përjashtim për të gjitha vendet”, tha republikani në Shtëpinë e Bardhë./ZËRI