Bota

Trump nis me kërcënime fjalimin në Davos: Investoni në SHBA ose do të përballeni me tarifat më të larta

Fjalimi i tij, shtron dilemën “investime apo tarifa”.

I.F
Trump nis me kërcënime fjalimin në Davos: Investoni në SHBA
Donald Trump

ZVICËR- Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka mbajtur një fjalim në Forumin Ekonomik Botëror të Davos. Gjatë fjalimit të tij, Trump i bëri thirrje biznesmenëve të investojnë në SHBA, ku do të përfitojnë një ulje drastike të taksave në krahasim me çdo shtet tjeterë. Por, Trump kërcënoi biznesmenët se nëse ata nuk do të prodhojnë në Amerikë, atëhere ata do të paguajnë tarifa të larta në krahasim me çdo vend tjetër. Fjalimi i tij, shtron dilemën “investime apo tarifa”.

“Mesazhi im për çdo biznes në botë është shumë i thjeshtë. Ejani të bëni produktet tuaja në Amerikë dhe ne do t'ju vendosim taksat më të ulëta të çdo kombi në Tokë. Ne do t'i reduktojmë ato në mënyrë shumë, shumë drastike. Por nëse nuk e prodhoni produktin tuaj në Amerikë, e cila është e drejta juaj, atëherë thjesht do t'ju duhet të paguani tarifa, të cilat do të dërgojnë qindra miliarda dollarë, madje edhe triliona dollarë në arkat tona për të forcuar ekonominë tonë dhe të na paguajë borxhin”, tha Trump.

Presidenti amerikan përsëriti synimin e tij për të shtyrë energjinë e pastër dhe për t'i dhënë fund mbështetjes federale për automjetet elektrike, ndërsa njoftoi presionin ndaj Riadit dhe OPEC-ut për të ulur çmimet e naftës.

“SHBA-ja është tërhequr nga Marrëveshja e njëanshme e Parisit për Klimën dhe i ka dhënë fund subvencionit të çmendur dhe të kushtueshëm për automjetet elektrike. Ne do t'i lejojmë njerëzit të blejnë makinën që duan të blejnë. Unë do t'i kërkoj gjithashtu Arabisë Saudite dhe OPEC-ut që të ulin koston e naftës. Duhet ta zvogëloni, gjë që sinqerisht, jam i befasuar që nuk u bë para zgjedhjeve”, përfundoi Donald Trump gjatë fjalimit të tij në Davos.

Presidenti Donald Trump nisi një ristrukturim gjithëpërfshirës të politikës energjetike në orët e para të mandatit të tij, duke lëshuar një sërë urdhrash ekzekutivë për të nxitur prodhimin e karburanteve fosile dhe për të tërhequr angazhimet e Biden për të luftuar ndryshimet klimatike. /ZËRI

Poll

MOS HUMB