
SHBA- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu lajmëroi se kishte nisur bisedimet me presidentin e sapozgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Netanyahu zbuloi se me Trump kishte folur 3 herë gjatë ditëve të fundit, duke u shprehur se kanë për qëllim forcimin e aleancës së fortë midis Izraelit dhe SHBA-së.
“Ishin biseda shumë të mira dhe shumë të rëndësishme. Ne pajtohemi plotësisht me çdo aspekt të kërcënimit iranian dhe rrezikut që ai paraqet. Ne gjithashtu shohim mundësitë e mëdha përpara Izraelit në fushën e paqes dhe zgjerimin e vendit tonë edhe në zona të tjera,”- tha Netanyahu në një deklaratë për mediat vendase.
Në të njëjtën kohë, zyra e presidentit të vendit njoftoi se Isaac Herzog do të takohej me homologun e tij amerikan Joe Biden të martën në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar krizat në Gaza dhe Liban. Po ashtu, në diskutimin e tyre do të fokusoheshin edhe tek “kërcënimi iranian”.
Pse zgjedhja e Trump e “ekzalton” Netanyahun?
Qeveria e Izraelit është e emocionuar për fitoren e Trumpit në zgjedhje, por është e shqetësuar se SHBA-të mund të rrisin presionin në ditët e fundit të administratës së Bidenit. Benjamin Netanyahu, i cili ishte ndër liderët e parë botërorë që uroi Trumpin, mund të kërkojë t'i japë fund luftës në Gaza në fillim të mandatit të Trump, si një mënyrë për t'i ofruar presidentit të ri të SHBA një "fitore të shpejtë diplomatike".
Izraeli beson se fitorja e Trump do të nënkuptojë një pozicion "më të vështirë" të mbikëqyrjes së SHBA-së ndaj Iranit dhe më shumë liri për Izraelin për të zgjeruar territorin në Bregun Perëndimor, tashmë të pushtuar. Por ndërsa qeveria izraelite pret me padurim inaugurimin e Trump në janar, zyrtarët janë të vetëdijshëm se ata ende duhet të diskutojnë edhe me administratën në largim të Biden. Kjo sepse shqetësohen se SHBA mund të shkurtojëndihmën ushtarake, siç u kërcënua muajin e kaluar nga Sekretari i Shtetit Anthony Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin./ZËRI