
Pasagjerët në një fluturim të Latam Airlines nga Sydney në Auckland përjetuan momente të tmerrshme, ndërsa 50 prej tyre mbetën të plagosur pas një incidenti të përshkruar si "turbulenca të rënda". Sipas informacioneve fillestare, turbulencat dyshohet se janë shkaktuar nga një “problem teknik” në Boeing 787 që po fluturonte.
Pasi avioni u ul në Auckland, mjekët ofruan ndihmën e parë për gjithsej 50 persona në bord, ku njëri prej tyre besohet se ishte në gjendje të rëndë dhe 13 të tjerë u dërguan në spital.
“Aeroplani u ul në aeroportin e Auckland siç ishte planifikuar. Për shkak të incidentit disa pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit u prekën. Atyre iu dha ndihma e menjëhershme dhe gjendja e tyre ose u trajtua ose u vlerësua në aeroport. Latam kërkon falje për shqetësimin dhe lëndimet që mund t'u jenë shkaktuar pasagjerëve dhe thekson se mbetet e përkushtuar për ta bërë sigurinë një prioritet", tha një zëdhënës i linjës ajrore për Herald./ZËRI