Bota

Dialogu dhe dinari serb/ Gabriel Escobar vizitë në Kosovë

Temat që priten të diskutohen në Kosovë janë dialogu me Serbinë si dhe çështja e dinarit, e cila hapi shumë diskutime. 

f.t
Dialogu dhe dinari serb/ Gabriel Escobar vizitë në Kosovë
Gabriel Escobar

KOSOVË- Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë kësaj jave do të qëndrojë për vizitë në Kosovë ku në mesin e temave që do të diskutojë gjatë takimeve do të jenë dialogu dhe dinari. Departamenti amerikan njoftoi se nga datat 10 deri më 18 mars, Escobar do ta vizitojë Belgjikën, Kosovën, Austrinë dhe Malin e Zi. Temat që priten të diskutohen në Kosovë janë dialogu me Serbinë si dhe çështja e dinarit, e cila hapi shumë diskutime. 

"Në Kosovë, ai do të takohet me udhëheqësit e qeverisë së Kosovës, shoqërinë civile dhe komunitetin serb të Kosovës për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përfaqësuesi Special do të zhvillojë takime për ndikimin e rregulloreve të reja të Bankës Qendrore të Kosovës në operacionet me para të gatshme dhe hapat urgjent për të siguruar që nevojat e qytetarëve të Kosovës të përmbushen plotësisht dhe pa ndërprerje”, bëhet e ditur në njoftim.

Lidhur me vizitën e tij, ka folur edhe shefja e grupit parlamentar e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë.

“Gabriel Escobar ka qenë dhe mbetet i angazhuar seriozisht në procesin e dialogut si i deleguari i State Department në dialogun Kosovë-Serbi, ndaj shqyrtimi i këtij procesi është i zakonshëm në raport me vizitën e tij. Çështja e dinarit apo përdorimi si valutë për pagesë të brendshme është e qartë që vetëm konvertimi i dinarit apo afatet e proceseve të konvertimit, gjegjësist lehtësimi i konvertimit mund të diskutohet për arsye se në Kosovë është një valutë dhe ajo valutë është euro. Sa i përket kërkesës për dërgim të draft-statusit të Asociacionit në Kushtetuese, ritheksoj se mbetemi të përkushtuar në normalizimin e situatës në katër komunat në veri. Siç po e shohim, kohë pas kohe atje ka tendencë dhe potencial për tensione. Sulmi ndaj pronave të nënkryetares së Komunës së Zveçanit ishte një indikacion se në periudha të ardhshme në përafrim të procesit zgjedhor, atje mund të pasohen sulme të tilla të grupeve të orkestruara kriminale që vijnë nga Beogradi. Ne e shohim si tepër të rëndësishme stabilitetin dhe sigurinë në vazhdimësi”, tha ajo.

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, duke e përjashtuar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit hyri në fuqi më 1 shkurt pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj. Autoritetet e Beogradit thanë se zbatimi i rregullores po kërcënon mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikuan ashpër për këtë çështje qeverinë e Kosovës duke vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në. Çështja e dinarit serb pritet të diskutohet në Bruksel./ZËRI

Poll

MOS HUMB