
PHILADELPHIA - Një oficer policie në Filadelfia u vra dhe një tjetër u plagos, pas disa të shtënave me armë, në një garazh parkimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Filadelfias të enjten mbrëma. Lajmi u dha nga komisioneri i përkohshëm i policisë, John Stanford.
Ngjarja ka ndodhur, pak pas orës 23:00, ndërsa oficerët po mbërrinin në punë. Stanford tha se oficerët vunë re individë që hynin në një automjet dhe shkuan t’i kontrollojnë. Mirëpo, të dyshuarit hapën zjarr, ndërsa policia iu afrua atyre.
Një oficer u qëllua disa herë në pjesën e sipërme të trupit të tij. Ai u shpall i vdekur në Qendrën Mjekësore Penn Presbyterian pak pas orës 23:30. Oficeri tjetër është plagosur dhe ndodhet i shtruar në Spitalin Universitar Jefferson. Ai u qëllua në krah.
Stanford tha se oficeri që vdiq ishte 50 vjeç dhe kishte 22 vjet përvojë në Departamentin e Policisë së Filadelfias. Ai kishte punuar me Qarkun e 25-të të Policisë, përpara se të caktohej në aeroport. Ai ka lënë pas një grua dhe një fëmijë. Identiteti i oficerit nuk bëhet i ditur për momentin.
Oficeri i plagosur është 60 vjeç dhe ka 20 vjet përvojë në departamentin e policisë. Stanford tha se informacionet paraprake tregojnë se të dyshuarit u larguan me një Dodge Durango, por ata ende po përpiqen të konfirmojnë nëse ky është automjeti që u mor nga garazhi. Po hetohet dhe po punohet për të nxjerrë më shumë informacion në publik në lidhje me ngjarjen.
Edhe një 18-vjeçar dyshohet se ka vdekur nga të shtënat. Ai u dërgua në spital me mjet privat dhe u la tek dera. I riu u shpall i vdekur pak më vonë. Stanford tha se po punohet për të ditur, nëse i riu i vdekur, kishte qenë i përfshirë në ngjarjen e ndodhur në garazh./Zëri.ai/