
GAZA – Situata në Gaza dhe në Izrael vijon që të jetë e trazuar. Një sërë zhvillimesh kanë ndodhur së fundmi. Njerëzit po largohen nga Gaza, pasi Izraeli tha se civilët duhet të largohen, pasi do të ndërhyjë ushtarakisht në zonë.
Hamasi nga ana tjetër vazhdon të hedhë raketa në drejtim të shtetit izraelit. Në mbarë botën, qytetarët po solidarizohen me Izraelin, pas masakrës së Hamasit. Ndërsa, nuk kanë munguar vizitat në Izrael, apo vende fqinje, të zyrtarëve të lartë perëndimorë.
Eksod masiv në zonën e Gazës: Njerëzit po ikin në jug të Rripit të Gazës, pasi Izraeli u tha atyre që të evakuoheshin brenda 24 orëve, për sigurinë e tyre. OKB-ja dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë kritikuar Izraelin për këtë operacion, duke thënë se në enklavë mund të shpërthejë krizë humanitare.

Ushtria izraelite tha se e kuptonte se evakuimi do të zgjaste më shumë se afati që kishte vendosur. Ndërkohë, Hamasi u bëri thirrje njerëzve që të injorojnë paralajmërimin e Tev Avivit.
Raketa të lëshuara drejt Izraelit: Hamasi vazhdon të lëshojë raketa nga Gaza drejt Izraelit jugor. Një ekip i BBC-së në terren pa një raketë, që synonte qytetin e Ashkelonit. Krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat al-Qassam, pretendojnë se kanë gjuajtur 150 raketa me breshëri këtë mengjes.

Protesta pro-palestineze: Mijëra demonstrues janë mbledhur tashmë në Irak, Jordani dhe Indonezi, dhe protesta priten gjithashtu në xhaminë al-Aksa. Kjo vjen pas thirrjeve nga figura të larta të Hamasit dhe Hezbollahut për të mbajtur mitingje.
Mbështetje për Izraelin: Njerëzit në mbarë botën po mbajnë parakalime dhe mitingje në mbështetje të Izraelit, pas vrasjeve masive nga Hamasi në fundjavë. Izraeli po vazhdon të mbajë zi për më shumë se 1300 viktima.

Zyrtarë të lartë vizitë në rajon: Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka takuar Presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas në Jordani. Më parë ai vizitoi Izraelin, ku premtoi mbështetjen e palëkundur ndaj shtetit.
Por Blinken, i tha gjithashtu kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se duhet të veprojë sipas rregullave të luftës në përgjigjen ndaj sulmeve të Hamasit. Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Lloyd Austin është tani në Izrael për bisedime dhe zyrtarët e BE-së po vizitojnë shtetin izraelit, gjithashtu.
Hamasi sulmoi befasisht Izraelin, duke vrarë më shumë se 1300 persona. Tel Avivi u përgjigj, duke ekzekutuar më shumë se 1350 njerëz./Zëri.ai/