
SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump zbuloi se pati një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Biseda është zhvilluar të martën, sipas presidentit amerikan. Trump tregoi se kishte hedhur poshtë ofertën e Moskës për të ndërmjetësuar në tensionin midis Iranit dhe Izraelit.
"Fola me të dje,"- u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, pa hyrë në detaje rreth bisedës. Presidenti amerikan e bëri të qartë se nuk është i interesuar, të paktën për momentin, në ofertën e Putinit për të marrë një rol ndërmjetësues në konflikt.
"Ai ofroi të ndihmonte në ndërmjetësim. I thashë: 'Më bëj një nder. Kujdesu për vendin tënd më parë. Le të ndërmjetësojmë për Rusinë më parë. Kujdesu për pjesën tjetër të botës më vonë',"- tha Trump.
Ndërkohë që nga Putin, ende nuk është zbuluar asnjë detaj lidhur me telefonatën që pati me homologun e tij amerikan./ZËRI