Bota

Tarifat e Trump/ BE i kundërpërgjigjet: Ne po përgatitemi për gjithçka, përgjigja jonë do të jetë e fortë!

Më herët, ministri francez i ekonomisë, Eric Lobar, vlerësoi se tarifat prej 25% të vendosura nga Trump për makinat e importuara në SHBA janë “lajm shumë i keq”, duke vlerësuar se tashmë zgjidhja e vetme është që edhe BE të rrisë tarifat e saj.

I.F
Tarifat e Trump/ BE i kundërpërgjigjet: Ne po përgatitemi
Donald Trump dhe Emmanuel Macron

SHBA- Bashkimi Evropian po përgatit përgjigjen e tij ndaj tarifave shtesë prej 25% të shpallura nga Donald Trump për makinat e importuara në Shtetet e Bashkuara.

"Ne jemi njoftuar për taksat ndaj makinave. Javën e ardhshme, një grup i ri masash për SHBA-në, do të hyjnë në fuqi. Na vjen keq për të gjitha këto, por ne po përgatitemi për çdo skenar," tha zëdhënësi i Komisionit Olof Gill.

"Nuk mund t'ju jap një afat kohor të saktë se kur do t’u përgjigjemi këtyre taksave që ende nuk janë zbatuar, por mund t'ju siguroj se do të jetë në kohë, e fortë, e konsideruar me kujdes dhe do të arrijë rezultatin e synuar", shtoi ai.

Më herët, ministri francez i ekonomisë, Eric Lobar, vlerësoi se tarifat prej 25% të vendosura nga Trump për makinat e importuara në SHBA janë “lajm shumë i keq”, duke vlerësuar se tashmë zgjidhja e vetme është që edhe BE të rrisë tarifat e saj. Kujtojmë se pak orë pas tarifave që vendosi për të gjitha automjetet e importuara, të cilat shkaktuan reagime të forta, presidenti amerikan, kërcënoi se do të vendosë sërish tarifa të reja ndaj BE-së dhe Kanadasë.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, ai ka theksuar se nëse BE-ja dhe Kanadaja bashkëpunojnë për vendosjen e sanksioneve ndaj SHBA-së, atëherë ai do të përgjigjet me tarifa të reja.

Tarifat e Trump/ BE i kundërpërgjigjet: Ne po përgatitemi
Postimi

"Agresioni po rritet," komentoi Lombard. “E vetmja zgjidhje për BE-në do të jetë rritja e tarifave për produktet amerikane”, shtoi ai. Për më tepër, ministri francez shprehu shpresën se së shpejti do të jetë në gjendje të bisedojë me homologët e tij amerikanë për uljen e këtyre tarifave, duke theksuar se një luftë tregtare nuk do të çojë askund.

Nga ana e saj, ministrja britanike e financave Rachel Reeves tha se Londra nuk po kërkon të përshkallëzojë luftën tregtare me SHBA-në dhe shtoi se po punon intensivisht me Uashingtonin për të arritur një përjashtim nga tarifat.

“Ne nuk jemi në një pozicion për momentin që të dëshirojmë të bëjmë ndonjë gjë për të përshkallëzuar këto luftëra tregtare”, tha Reeves për Sky News kur u pyet nëse Britania do të vendoste tarifa hakmarrëse ndaj SHBA-së.

“Luftërat tregtare nuk janë të mira për askënd”, theksoi ajo.

Sipas Reeves, rritja e tarifave do të jetë e keqe për Britaninë, por do të jetë gjithashtu e keqe për SHBA-në.

“Kjo është arsyeja pse ne do të punojmë intensivisht gjatë ditëve në vijim për të arritur një marrëveshje të mirë për Britaninë."

"Unë e kuptoj se sa e rëndësishme është kjo," vuri në dukje ajo, duke folur për BBC.

Për më tepër, Kina vlerësoi gjithashtu se një luftë tregtare "nuk ka fitues".

"Nuk ka fitues në një luftë tregtare dhe në një luftë tarifore. Zhvillimi dhe prosperiteti i asnjë vendi nuk duhet të arrihet përmes vendosjes së tarifave," tha Guo Jiakun, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze./ZËRI

Poll

MOS HUMB