Bota

Talat Xhaferi flet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut: Prioritetet e qeverisë time

Talat Xhaferi deklaroi se qeveria e tij do respektojë ligjin dhe Kushtetutën, duke shtuar se prioritet do jetë lufta kundër korrupsionit.

D.XH
Talat Xhaferi flet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut:
Talat Xhaferi

SHKUP – Kandidati për kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në fjalën e tij përpara deputetëve të RMV tha se prioritet i tij do të jetë zbatimi i ligjit dhe i Kushtetutës. Ai u shpreh se do të zbatojë programin qeveritar, që ka parashtruar.

“Qeveria në mënyrë direkte dhe në bashkëpunim me Kuvendin, BE-në dhe SHBA-në do të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike, ku do të reflektohet vullneti i qytetarëve. Qeveria do të vazhdojë t’i realizojë të gjitha reformat për integrim të vendit në BE. Qeveria do të vazhdojë politikat për arsimim kualitativ, sepse investimi në arsim është investim në shtet. Do të vijojmë me reformat në administratën publike”, tha Xhaferi. Ai tha se sundimi i së drejtës, por dhe lufta kundër korrupsionit, mbeten politika thelbësore të qeverisë teknike.

“Qeverinë do ta udhëheq me përgjegjësi, duke përmbushur detyrimet dhe pritshmëritë e qytetarëve dhe partnerëve të koalicionit. Edhe pse është qeveri kalimtare që do të organizojë zgjedhjet, për mua një ditë apo 100 janë të njëjta, dhe dua t’ju siguroj, që përgjegjësia dhe institucionalizmi në udhëheqje do të jetë detyra ime. Unë do të vazhdoj programin e qeverisë së kaluar, duke realizuar prioritetet e qytetarëve dhe të qeverisë. Për të ecur drejt rrugës së BE-së, ne do të bëjmë hapat e duhura dhe të sigurta, që i takon një shteti serioz. Qeveria ime do të jetë krah dhe zë i qytetarëve. Puna e qeverisë sime do të kalojë edhe nëpërmjet sfidave, që do të sigurojnë zbatimin dhe respektimin e ligjeve dhe Kushtetutës. Bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare për zgjedhjet dhe zhvillimi i vendit, do të jenë obligim i imi. Bashkëpunimi me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të do të jetë gjithashtu prioritet për mua dhe qeverinë time”, deklaroi Xhaferi.

Talat Xhaferi pritet të votohet nga parlamenti maqedonas, kryeministër i Maqedonisë së Veriut./ZËRI/

Poll

MOS HUMB