
SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump do të zhvillojë një takim me dyer të mbyllura, pa mediat e pranishme, me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahun. Edhe pas takimit të tyre është lajmëruar se nuk do të ketë asnjë deklaratë për shtyp.
Sipas planit, edhe mbërritja e Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë në orën 6:30 të mbrëmjes sipas orës lokale (00:30 të mëngjesit sipas orës shqiptare) do të jetë e mbyllur për shtypin. Më pas, të dy udhëheqësit do të kenë një darkë private me gratë e tyre. Ndryshe nga dy vizitat e mëparshme të Netanyahut këtë vit, nuk është planifikuar asnjë konferencë për shtyp apo foto në Zyrën Ovale.
Para darkës me Trumpin, Netanyahu do të takohet me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dhe të dërguarin special të SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, në Blair House. Të martën, Netanyahu është planifikuar të takohet me Zëvendëspresidentin e SHBA-së, J.D. Vance, dhe anëtarë të Kongresit në Capitol Hill. Të mërkurën, ai planifikon të takohet me Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, në Pentagon, përpara se të organizojë një gala për udhëheqësit hebrenj dhe ungjillorë.
Netanyahu është planifikuar të kthehet në Izrael të enjten./ZËRI