Bota

Ministri rus i Transportit kryen vetëvrasje pasi u shkarkua nga Putini

Trupi i Roman Starovoit gjendet në makinën e tij.

k.m.
Ministri rus i Transportit kryen vetëvrasje pasi u shkarkua nga Putini
Roman Starovoit

MOSKË- Disa orë pasi u shkarkua nga detyra e Ministrit të Transportit, Roman Starovoit i mori jetën vetes. Sipas gazetës "Izvestiya", ai qëlloi veten me armë zjarri. Ky lajm u konfirmua edhe nga autoritetet ruse. Grupi hetimor bëri me dije se trupi i ish-ministrit të Transportit rus Roman Vladimirovich Starovoit u gjet sot në makinën e tij, me plagë plumbi.

Ngjarja ndodhi pak pasi presidenti rus, Vladimir Putin e shkarkoi nga detyra, pas 1 viti në detyrë. Starovoit u emërua ministër i Transportit në maj 2024, pasi drejtoi për 5 vite rajonin e Kurskut, i cili kufizohet me Ukrainën. Kremlini njoftoi se Andrei Nikitin, një ish-guvernator i rajonit të Novgorodit, ishte emëruar si pasardhës i Starovoit. Madje u publikuan edhe fotot të tij duke shtrënguar duart me Putinin në Kremlin.

I pyetur për largimin e papritur të Starovoit dhe emërimin e shpejtë të Nikitin, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha: Aktualisht, sipas mendimit të presidentit, kualifikimet profesionale dhe përvoja e Andrei Nikitin do të ndihmojnë më së miri të sigurohet mbarëvajta e transportit në vend.

Sipas dy burimeve të industrisë së transportit, planet për të zëvendësuar Starovoit me Nikitin ishin në proces përpara Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të muajit të kaluar në Shën Petersburg, ndërsa Ministria e Transportit refuzoi të komentonte dyshimet. Në takimin e tij me Putinin, Nikitin foli për detyrën masive të dixhitalizimit të industrisë së transportit të Rusisë, si një përpjekje për të zvogëluar barrierat ndaj mallrave dhe për të siguruar një rrjedhë më të lehtë ndërkufitare.

Lidhur me vetëvrasjen, një burim i tretë, i paidentifikuar me emër, në industrinë e transportit tha se pozicioni i Starovoit kishte qenë në pikëpyetje për muaj të tërë, jo konkretisht për çështjet e transportit, por për shkak të skandaleve të korrupsionit në Kursk./ZËRI

Poll

MOS HUMB