
BRITANI E MADHE- Britani e madhe po përballet me probleme të mëdha pas goditjes nga stuhia Henk me qindra paralajmërime për përmbytje, mbyllje rrugësh, anulime trenash dhe mijëra familje pa energji.
Në disa zona janë regjistruar erërat më të forta në tre dekadat e fundit dhe mijëra njerëz kanë mbetur pa energji elektrike. Shpërthimet më të forta të erës u regjistruan të martën pasdite në Isle of Wight, në jug të Anglisë, ku shpejtësia e erës arriti në 150 kilometra në orë, shkruan BBC.
Më shumë se 300 paralajmërime për përmbytje ishin në fuqi në Angli dhe Uells që nga mëngjesi i sotëm. Sipas Shoqatës së Rrjeteve të Energjisë, e cila mbledh të dhëna nga të gjithë ofruesit e energjisë elektrike, rreth 10,000 klientë janë ende pa energji elektrike.
Shërbimet e trenave midis Londrës Paddington dhe Uellsit jugor po devijohen për shkak të përmbytjeve midis Swindon dhe Bristol Parkway, ndërsa hekurudha midis Coventry dhe Birmingham International është goditur nga përmbytjet. Ndërkohë në Orpington, në juglindje të Londrës, një grua u dërgua në spital pasi u godit nga një pemë që binte. Më shumë se 1000 njerëz janë evakuuar nga një park argëtimi në Northampton./ZËRI