Bota

Sot 18 vite nga vdekja e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova

Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe është rizgjedhur edhe më 2004.

f.t
Sot 18 vite nga vdekja e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova
Ibrahim Rugova

KOSOVË- Ditën e sotme shënohen 18 vite që nga vdekja e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake. Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cercë të Istogut. Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë pushkatuan babanë e tij, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, i cili kishte qenë luftëtar i njohur kundër forcave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen në Pejë, në vitin 1967. Fakultetin Filozofik - Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e profesor Roland Barthes, ku ndoqi interesat e tij shkencore në studimin e letërsisë, me fokus teorinë e letërsisë. Doktori në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës në vitin 1984.

Ibrahim Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual i njohur që i ka dhënë zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Ibrahim Rugova është zgjedhur, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që ka sfiduar drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës është bërë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.

Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe LDK-ja kanë përmbyllur kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, kanë qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Republikës së Kosovës. Rugova është rizgjedhur President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, LDK-ja ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK ka fituar edhe zgjedhjet nacionale më 2004. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe është rizgjedhur edhe më 2004.

Veprat e Ibrahim Rugovës:

-Prekje lirike, Rilindja, Prishtinë, 1971

- Kah teoria, Rilindja, Prishtinë, 1978

- Bibliografia e kritikës letrare shqipe 1944-1974, Instituti Shqiptar, Prishtinë, 1976 (së bashku me Isak Shemën)

- Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni), Rilindja, Prishtinë, 1979 (së bashku me Sabri Hamitin)

- Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980

- Vepra e Bogdanit 1675-1685, Rilindja, Prishtinë, 1982.

- Fushat dhe premisat e kritikës letrare shqipe 1504-1983, Instituti i Studimeve Shqiptare, Prishtinë, 1986.

- Refuzimi estetik, Rilindja, Prishtinë, 1987

- Pavarësia dhe demokracia, Fjala, Prishtinë, 1991- Çështja e Kosovës, Dukagjini, Pejë, 1994

- Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtinë, 2005.

Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë të Ibrahim Rugovës:

- Në vitin 1995 Dr. Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Paqes të Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.

- Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë.

- Në vitin 1998, Dr. Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin Saharov të Parlamentit Evropian.

- Në vitin 1999 Dr.Rugova mori Çmimin e Paqes të qytetit të Munsterit të Gjermanisë, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedikut, Milanos dhe Breshias.

- Në vitin 2000 Dr. Ibrahim Rugova mori Çmimin e Paqes të Bashkimit Demokratik të Katalonjës “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë.

- Në vitin 2004 Dr. Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës, Senator Nderi nga Fondacioni Pan-Europian Coudenhove-Kalergi.

- Gjithashtu i nderuar nga Commonwealth of Pennsylvania (SHBA), "Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës"

- Në vitin 2004, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.

Kujtojmë se në përvjetorin e vdekjes së tij më 21 janar 2007, Presidenti Fatmir Sejdiu dekoroi presidentin historik të Kosovës me Urdhrin "Hero i Kosovës", titulli më i lartë në vend që u jepet figurave historike shqiptare dhe kosovare që kanë bërë "akte trimërie". për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”./ZËRI

Poll

MOS HUMB