
SHBA - Për rreth 340 dollarë, aktori Elijah Wood mund t'ju dhurojë një video të personalizuar, duke ju uruar ditëlindjen. John McGinley, i njohur për rolin e tij në shfaqjen televizive mjekësore ‘Scrubs’, do të mbajë një fjalim të gjatë për rreth 475 dollarë. Priscilla Presley do të jetë në një klip, ku flet për gjithçka, nga blerjet e Krishtlindjeve deri te Graceland për rreth 200 dollarë.
Të gjithë këta të famshëm përdorin platformën e ndarjes së videove ‘Cameo’ për të bërë shpejt video të bëra vetë për fansat që i paguajnë për fjalime/ intervista/ tekste të thëna prej tyre të adresuara. Ata mund të shihen duke iu uruar për ditëlindje ose duke ofruar këshilla. Megjithatë, këtë verë, disa video janë sulmuar nga një grup i panjohur rus, i cili i ka redaktuar në mënyrë të vrazhdë klipet dhe i ka përdorur ato si pjesë e taktikave të tij të gjerë të luftës së disinformacionit kundër Ukrainës.
Të paktën shtatë personazheve të famshëm, që besohet se nuk kanë vetëdije se çfarë po ndodh realisht me ta, përfshirë ata të listuar më sipër, u janë manipuluar videot e tyre në Cameo nga hakera pro-rusë, për t'u dukur sikur po kritikojnë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, sipas hulumtimit të ri të Microsoft-it të publikuar sot. Videot e ndryshuara të Cameo u shpërndanë në mediat sociale, më pas u raportuan në shumë nga gazetat dhe kanalet televizive në pronësi ose të kontrolluara nga qeveria ruse, thotë studimi.
Videot filluan të shfaqen në korrik dhe ndjekin modele të ngjashme. "Gjithçka ka qenë e përgatitur," thotë Clint Watts, menaxheri i përgjithshëm i Microsoft Threat Analysis Center, i cili publikoi hulumtimin në një përditësim mbi informacionin rus dhe aktivitetet kibernetike. "Është një aktor apo aktore e ndryshme që shfaqet duke thënë një skenar shumë të ngjashëm," thotë Watts.
Videot tregojnë shpesh personazhin e famshëm duke folur me "Vladimir" dhe thonë se duhet që të marrim substanca narkotike. Videot janë redaktuar më vonë për t'u dukur sikur personi i famshëm po i drejtohej presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Personazhi i thotë Zelenskyyt se duhet që të gjithë të drogohen. Kremlini ka nxitur vazhdimisht dezinformata, duke e quajtur Zelenskyyn një të droguar. Videot mund të kenë emoji, dhe më pas shpërndahen në rrjetet sociale.
Shtatë personazhet e famshëm që Microsoft nxjerr në pah janë aktorët Elijah Wood, John McGinley, Dean Norris, Kate Flannery dhe Priscilla Presley; muzikanti Shavo Odadjian; dhe boksieri Mike Tyson. Nuk ka asnjë sugjerim që të famshmit e dinin se videot e tyre do të modifikoheshin ose manipuloheshin në këtë mënyrë.
"Unë thjesht dua të sigurohem që po merrni ndihmë", thotë Wood në video, ish-aktori i Lord of the Rings. Videoja e manipuluar ka një flamur ukrainas dhe një lidhje me një qendër kërkimore për drogën dhe alkoolin, dhe është bërë të duket sikur është në Instagram. Videoja ka disa prerje rrëqethëse dhe është dukshëm e ndryshuar. “Shpresoj që të merrni ndihmën që ju nevojitet. Shumë dashuri, Vladimir, kujdes”, thotë Wood në fund të filmimit. Në një video tjetër, Kate Flannery, e cila luajti në The Office, duket se thotë: "Duhet të shkosh në rehabilitim" dhe se Vladimiri meriton një jetë të mirë.
Gjatë dekadës së fundit, përpjekjet ruse për dezinformim kanë evoluar për të vazhduar me tendencat aktuale të internetit, thotë Watts. Rreth zgjedhjeve të vitit 2016 në SHBA, llogaritë pro-ruse po ndanin mesazhet e tyre, duke përdorur lidhje të postimeve në blog. Watts thotë se videot e Cameo nuk dukej se kishin arritur një audiencë të gjerë, por përpjekja ishte novatore dhe pjesë e taktikave gjithnjë në ndryshim të Rusisë./ZËRI/