Bota

Skandali me ish-miss Kosovën, i zhvati 200 mijë euro dhe Q8-tën biznesmenit të njohur

Ishte një lidhje që përfundoi shpejt nga ana e biznesmenit, por jo nga ish-missi! Ajo e kërcënoi për shumë kohë biznesmenin me banim në Zvicër, me foto dhe video intime, e madje në një rast i tha se do i prishte dasmën e të birit. Ajo u vu në pranga dhe doli sot përpara Gjykatës së Prizrenit

E.K
Skandali me ish-miss Kosovën, i zhvati 200 mijë euro dhe Q8-tën
Ish-missi dhe biznesmeni Isni Jemini

KOSOVË- Ish-miss Kosova, Zana Berisha, e cila është vënë në prangat e policisë nën akuzën e shtantazhit, ka dalë përpara Gjykatës në Prizren. Ajo dyshohet se ka shantazhuar për një kohë të gjatë ish-të dashurin e saj biznesmen, duke i marrë atij shuma të mëdha parash.

Sipas mediave në Kosovë, Berisha dyshohet se e detyroi biznesmenin Isni Jemini, me aktivitet të gjerë në Zvicër, të paguajë rreth 200 mijë euro dhe ti japë një makinë luksoze Audi Q8. Dyshohet se ajo e shantazhonte biznesmenin, se do i dërgonte familjarëve të tij, video dhe foto intime. Kjo me sa duket, ka bërë që biznesmeni në fund ta denonconte atë. Gjykata për momentin, ka caktuar ndaj saj masën e sigurisë "arrest shtëpie".

PJESË NGA DOSJA E PROKURORISË

Në dosjen e prokurorisë thuhet se “prej muajit gusht të vitit 2021 e në vazhdimësi deri më 8 tetor 2023, në intervale të ndryshme kohore, në Prizren dhe Prishtinë, e pandehura Zana Berisha me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër e kanos të dëmtuarin I.J., se do t’i dërgojë fotot dhe videot personale të tyre familjes së të dëmtuarit”.

Më tej në dosje përshkruhet se pasi i dëmtuari dhe e pandehura krijojnë lidhje dashurie, gjatë muajit gusht të vitit 2021 derisa e pandehura kishte shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga i dëmtuari kërkon shumën prej 100 mijë euro për nevojat e saj.

Sipas dosjes, kur i dëmtuari nuk ia dërgon shumën e kërkuar dhe kërkon nga e pandehura që të ndërpresin lidhjen e tyre, e pandehura e kërcënon të dëmtuarin se do t’ia shkatërrojë familjen dhe në rrjetin “Instagram”, nga adresa “….” dërgon foto dhe video të tyre personale, disa nga ato me përmbajtje intime, te bashkëshortja, djali dhe shokët e të dëmtuarit.

Më tej sipas Prokurorisë në fillim të vitit 2022, pasi e pandehura kthehet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa i dëmtuari ishte në hotelin “…”, në Prishtinë, aty vjen e pandehura dhe i drejtohet të dëmtuarit “çka të kam bërë ishte vetëm 30 përqind dhe 70 përqind kam gjëra që do të publikoj, ke menduar se ke përfunduar lidhjen por unë akoma se kam përfunduar”.

Më pas gjatë muajit gusht të vitit 2022 i dëmtuari detyrohet që t’ia bëjë pagesën për blerjen e veturës “Audi Q8” të pandehurës dhe atë në shumën 70 mijë euro, me kërcënime se nuk ia paguan veturën të pandehurës, ajo do t’i prishte dasmën e djalit biznesmenit.

Më tej, më datë 5 shtator 2023, i dëmtuari detyrohet t’ia japë të pandehurës shumën prej 50 mijë euro si kërkesë e të pandehurës për ta mbyllur këtë çështje, dhe i dëmtuari nuk e lajmëron rastin në Polici meqë e pandehura e shantazhon dhe kërcënon duke i thënë se e lajmëron djalin e të dëmtuarit.

KUSH ËSHTË BIZNESMENI JEMINI 

Biznesmeni i shantazhuar, Isni Jemini, nga mediat zvicerane është i pagëzuar si “mbret i gastronomisë në Zvicër”. Ai atje ka një lokal e që mban emrin pikërisht të Celinës, Pizzeria Celina.

Sipas disa raportimeve të mëhershme biznesmeni i shantazhuar nga missi kosovar kishte inaguruar plot 27 biznese atje në Zvicër duke u bërë përfaqësues i denjë për shqiptarët në mërgim.

Në Zvicër, Isniu kishte shkuar në moshën studentore, në vitin 1984. Filloi me larje të enëve në restorantin “Spatz am Bärenplatz”, më vonë ishte shef i shërbimit në Hotel Bern.

Në vitin 1991, ai personalisht e mori rolin e menaxhuesit me restorantin e tij të parë “Sinnegrrüggli” bë Thun, të cilin e pagëzoi me emrin “Al Ponte”.

Lidhja e dashurisë mes ish-miss Kosovës dhe biznesmenit të njohur, përfundoi me përfitim të kundërligjshëm të pasurisë nga ana e Berishës, e cila arriti ta shantazhojë biznesmenin për dy vjet me radhë, duke e kërcënuar se do t’ia dëmtojë nderin dhe autoritetin e tyre.

Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB