
BELGJIKË - Kisha Katolike thuhet se ka shitur rreth 30,000 fëmijë të porsalindur, pa dijeninë e nënave të tyre. Kjo është ajo që u zbulua në podkastin “Kinderen van de Kerk” nga gazeta belge Het Laatste Nieuws, në të cilën nënat dhe fëmijët e birësuar flasin për herë të parë për këto ngjarje të ndodhura në një periudhë kohore që nga Lufta e Dytë Botërore deri në vitet 1980. Gratë shtatzëna dhe të pamartuara, sipas gazetës, u vendosën në institucione katolike, ku pësuan poshtërim, madje edhe abuzim seksual.
Gjatë lindjes, disa gra iu nënshtruan anestezisë së përgjithshme, ndërsa të tjerat duhej të mbanin një maskë - të gjitha mënyrat ishin për të parandaluar nënat të shihnin fëmijën e tyre, që iu merrej menjëherë pas lindjes. Disa gra madje u sterilizuan. Të tjerat u detyruan të nënshkruanin një dokument, duke hequr dorë nga fëmija i tyre ose duke iu është thënë se foshnja kishte lindur i vdekur. Fëmijët më pas u shitën për shuma të caktuara – midis 10,000 dhe 30,000 franga belge (afërsisht midis 250 dhe 750 euro), ndonjëherë edhe shumë më tepër – familjeve birësuese. Dokumentet e paruajtura ose të shkatërruara e bëjnë procesin e ribashkimit jashtëzakonisht të vështirë sot, thotë Debby Mattys (57), e cila u vendos për birësim nga murgeshat dhe ka kaluar më shumë se 20 vjet ,duke kërkuar për nënën e saj biologjike.
“Nëna ime ishte 18 vjeçe kur kishte një shtatzëni të padëshiruar”, tha ajo për Het Laaste Nieuws. Në vitin 2015, Konferenca Episkopale u kërkoi falje viktimave të birësimeve të detyruara në institucionet katolike në Parlamentin flaman. Në përgjigje të dëshmive të fundit, peshkopët shprehën dhembshurinë e tyre për dhimbjen dhe traumën e viktimave, raporton Brussels Times. Kisha bën thirrje për një hetim të pavarur për çështjen./ZËRI/