
SERBI- Para ndërtesës së Radio Televizionit të Serbisë (RTS) në Beograd, është zhvilluar protesta e 26-të me sloganin “Serbia kundër dhunës”. Qarkullimi u bllokua rreth orës 17:55 para ndërtesës së Kuvendit të Serbisë në drejtim të sheshit Nikolla Pashiq dhe vendi është mbushur me qytetarë që kërkojnë raportimin e të vërtetës dhe jo atë të dirigjuar nga Presidenti i vendit.
Danas shkruan se Nebojsha Zelenoviç nga Moramo-Zajedno, ishte personi i parë që foli dhe kërkoi që qeveria ta rimendojë sundimin e televizionit publik që paguhet me taksat e vetë qytetarëve serbë.

“Ne e bezdisim shumë qeverinë, ata me të vërtetë do të donin të mos na shihnin këtu, por ne nuk do të dorëzohemi derisa të shohim kurrizin e tyre,”- tha Zelenoviç.
Të njëjtën gjë tha dhe deputetja e Lëvizjes Popullore të Serbisë, Sllavica Radovanoviç.

“Ai thjesht thotë atë që ka në kokën e tij. Do të mashtrojë, sepse do të qëndrojë në pushtet. As ai dhe as ata që e rrethojnë nuk janë të interesuar nëse jeni mirë. Ata janë të interesuar vetëm të qëndrojnë në pushtet sa më gjate,”- shtoi ajo.

Qytetarët më pas kanë marshuar drejt objektit të Radio Televizionit të Serbisë (RTS).
“Nesër bëhen gjashtë vjet nga një nga turpet më të mëdha të gazetarisë sonë, që nga transmetimi i videos kundër Oliver Ivanoviqit, për shkak të së cilës u vra Oliver Ivanovi….Ndaj ju pyes ju gazetarë të RTS-së, si mund të heshtni për të shtënat në profesionin tuaj, për djegien e shtëpisë tuaj? Çfarë duhet të ndodhë për t’u zgjuar? Ne ju paguajmë që të publikoni të vërtetën, jo gënjeshtrat e Aleksandër Vuçiçit,”- tha deputeti Srđan Milivojeviç nga Partia Demokratike.
