BRITANI E MADHE- Kryeministri britanik Rishi Sunak, familja e të cilit vlerësohet të jetë më e pasur se e mbretit Charles III, tha se si fëmijë ai ishte i privuar nga "shumë gjëra". Deklaratën që po bëhet virale e bëri pasi u pyet nëse e kishte idenë lidhur me vuajtjet dhe problemet e përditshme me të cilat përballen njerëzit e thjeshtë. Këtu, kryeministri britanik befasoi me përgjigjen.
“Ka gjëra të ndryshme që do t'i kisha dashur ti kisha si fëmijë, por nuk mund t'i kisha. Televizioni i njohur "Sky" ishte një prej tyre. Nuk e pata kurrë mundësinë që ta shihja teksa rritesha sepse ishte me pagesë,"-tregoi Sunak, duke u bërë viral me përgjigjen e tij.
Sunak, djali i një mjeku dhe një farmacisteje, konsiderohet si kryeministri më i pasur që ka pasur ndonjëherë Britania e Madhe, shto këtu edhe faktin që edhe e shoqja vjen nga një familje me shumë të mira materiale. Babai i saj themeloi firmën indiane të shërbimeve IT Infosys dhe konsiderohet si ndër njerëzit më të pasur të Indisë.
Pasuria familjare e Sunak vlerësohet të ketë një vlerë neto prej më shumë se 650 milion £ (828 milion dollarë), duke e vendosur atë në vendin e 245-të në listën e të pasurve të "Sunday Times 2024", përpara mbretit Charles III, i cili renditet në vendin e 258-të./ZËRI