BRUKSEL- Një propozim i Kancerlarit gjerman, Friedrich Merz, duket se po merr formë. Merz propozoi që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u jepet statusi i vëzhguesit në Bashkimin Evropian, ndërsa Ukrainës statusi i së ashtuquajturës anëtare e asociuar pa të drejtë vote.
Kancelari Federal Friedrich Merz u ka paraqitur udhëheqësve të BE-së një propozim: anëtarësim i asociuar për Ukrainën dhe integrim gradual për Ballkanin Perëndimor, dhe ndoshta edhe për Moldavinë. Qëllimi është të riafirmohet në mënyrë të besueshme perspektiva e anëtarësimit të plotë dhe të bëhet procesi i zgjerimit më dinamik.
Gjermania, Franca, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu kanë paraqitur një dokument të përbashkët ku kërkojnë diskutimin e masave të reja mbrojtëse për vendet që synojnë antarësimin në Bashkimin Europian.
Propozimi vjen në një moment kur zgjerimi i BE-së është rikthyer në qendër të agjendës politike europiane, me vende si Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia që po kërkojnë përparim në negociatat e antarësimit.
Ballkani Perëndimor, vëzhgues në institucionet e BE-së
Për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë, Merz propozon shqyrtimin e “zgjidhjeve inovative” për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të tyre në BE.
Ai sugjeron, mes tjerash, qasje të privilegjuar në tregun e vetëm evropian dhe lidhje më të ngushta me institucionet e BE-së në procesin e përditshëm të vendimmarrjes.
Ai, po ashtu, propozon dhënien e statusit të vëzhguesit për vendet e Ballkanit Perëndimor në të gjitha institucionet relevante të Bashkimit Evropian, si dhe mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta të Komisionit Evropian ose Parlamentit Evropian me përfaqësues të rajonit, për çështje që lidhen drejtpërdrejt me të.
“Integrimi gradual mund të realizohet përmes ndërtimit të blloqeve që do të shërbenin si bazë për zbatimin e plotë të fushave përkatëse të politikave, dhe më pas do të shoqërohej me mbështetje më të madhe në zbatimin e ligjeve të BE-së. Përveç kësaj, mund ta avancojmë edhe integrimin institucional mbi bazën e progresit real. E gjithë kjo mund t’i afrojë ndjeshëm vendet kandidate me ne dhe të nxisë një ambicie të re për reforma të mëtejshme drejt anëtarësimit të plotë”, thuhet në letrën e kancelarit gjerman.
“Të qëndrojmë fort të përkushtuar ndaj premtimit se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia mund t’i bashkohen Bashkimit Evropian, siç është përcaktuar në Kriteret e Kopenhagës dhe në Agjendën e Selanikut të vitit 2003. Qëllimi ynë nuk ka ndryshuar: kompletimi i Bashkimit Evropian përmes përfshirjes së të gjitha vendeve kandidate”, theksohet në letër.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Bosnje dhe Hercgovina dhe Maqedonia e Veriut janë kandidate për anëtarësim, ndërsa Kosova jo.
Ukraina si anëtare e asociuar
Kreu i qeverisë gjermane propozon që Ukrainës t'i mundësohet të afrohet më shumë me Bashkimin Europian dhe institucionet e tij kryesore, “pa ndikuar në negociatat e vazhdueshme të pranimit, por duke inkurajuar dhe mbështetur atë proces”.
Sipas tij, statusi i “shtetit anëtar të asociuar” mund të përfshijë, ndër të tjera, pjesëmarrjen në takimet e udhëheqësve ose ministrave të Bashkimit Evropian pa të drejtë vote, statusin e një anëtari të asociuar të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, gjithashtu pa të drejtë vote, si dhe zbatimin gradual të ligjeve të Bashkimit Evropian në përputhje me përparimin e Ukrainës në negociatat e pranimit – “jo automatikisht, por pas miratimit të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe me klauzolat e përshtatshme mbrojtëse”.
Rreziku i trajtimit të pabarabartë
Propozimi aktual do të krijonte rrugë të ndryshme integrimi brenda të njëjtit proces zgjerimi: Ukraina do të ishte më e lidhur përmes anëtarësimit të asociuar sesa Ballkani Perëndimor përmes statusit të vëzhguesit. Roli i synuar i Moldavisë mbetet i paqartë.
Brenda BE-së-27, qëndrimet mbi diferencimin ndryshojnë. Disa shtete anëtare kërkojnë oferta të barabarta për të gjitha vendet kandidate. Ndërsa lufta e agresionit e Rusisë kërkon mbështetje masive financiare për Ukrainën dhe garanci sigurie evropiane, kushtet për anëtarësim të plotë në BE vlejnë në mënyrë të barabartë për të gjithë kandidatët. Prandaj, reformat në procesin e pranimit duhet të zbatohen në mënyrë të vazhdueshme për të shmangur krijimin e tensioneve të reja politike dhe dyshimeve të mëtejshme në lidhje me besueshmërinë e procesit të zgjerimit - veçanërisht në Ballkanin Perëndimor./ZËRI