Bota

Shpërthimi “i sinjalizuesve” në Liban/ Hezbollahu kërkon hakmarrje ndaj Izraelit, SHBA thirrje Iranit të mos përshkallëzojë situatën

Sipas ekspertëve, kjo mund të nxisë një përshkallëzim që SHBA kishte kërkuar me ngulm që ta shmangte.

I.F
Shpërthimi “i sinjalizuesve” në Liban/ Hezbollahu
Liban

BEJRUT- Pas shpërthimit të pagerëve që vranë 18 persona, përfshirë një fëmijë dhe plagosën 4 mijë njerëz të tjerë, Libani dhe Irani u betuan për hakmarrje ndaj Izraelit. Disa orë para shpërthimeve, kabineti i sigurisë i Izraelit tha se ndalimi i sulmeve të Hezbollahut në veri të vendit për të lejuar kthimin e sigurt të banorëve të zhvendosur ishte një qëllim zyrtar i luftës.

Në këtë sulm u plagos gjithashtu ambasadori i Iranit në Liban dhe gruaja e tij. Shpërthimi i pagerave, të cilat përdoren si pajisje komunikimi kanë shokuar libanezët, të cilët ende nuk e kanë marrë veten nga kjo ngjarje. Por ky sulm ka shokuar gjithashtu edhe diplomacinë amerikane në Lindjen e Mesme, pasi ngjarja ndodhi në një kohë jo të favorshme për SHBA-në.

Sipas ekspertëve, kjo mund të nxisë një përshkallëzim që SHBA kishte kërkuar me ngulm që ta shmangte. Një ditë përpara shpërthimit, Amos Hochstein këshilltar i lartë i Joe Biden, ishte në Izrael duke i kërkuar Benjamin Netanyahut dhe zyrtarëve të tjerë të lartë izraelitë ulje të tensioneve në Liban.

Në një video të postuar nga BBC, shihet momenti kur ndodh shpërthimi në një supermarket.

Disa orë pas sulmit, Libani tha se spitalet janë mbushur plot dhe se askush nuk lejohet të hyj brenda, pasi skenat janë të tmerrshme dhe traumatike.

“Shumica e plagëve janë shkaktuar në pjesën e belit, fytyrës, syve dhe duarve, shumë njerëz kanë humbur gushtërinjtë”, thanë mjekët. Edhe pse nuk ka një shifër ende zyrtare, raportohet se 600 persona kanë humbur shikimin dhe 170 janë në gjëndje të rëndë për jetën. 

14 persona u plagosën gjithashtu nga shpërthimi i pagesave në Sirinë fqinje, ku Hezbollahu po lufton përkrah forcave qeveritare në luftën civile të vendit, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërsa, një grup hetimor ka shkuar në kompaninë “Gold Apollo” në Tajvan, e cila është prodhuesja më e madhe e pagerave. Kompania ka mohuar akuzat se pajisjet janë krijuar prej saj dhe se nuk ka shituar në Lindjen e Mesme asnjë pager. “Gold Apollo” tha se marrëveshjet tregtare i ka në Evropë dhe SHBA dhe nuk vepron në shumë vende të Azisë.

“Kompania jonë ka marrëveshje tregtare në SHBA dhe Evropë. Ne nuk operojmë në Lindjen e Mesme. Gjithashtu pagerat tonë nuk shpërthejnë, ndryshe nga se raportohet në media”, tha zëdhënesi i Gold Apollo.

Autoritetet janë ende duke kryer hetimet e nevojshme për të kuptuar se nga cila kompani u prodhuan pagerat. Ndërsa, Hezbollahu fajëson Izraelin për shpërthimin e sinjalizuesve.

“Ne mbajmë përgjegjës Izraelin për këtë agresion kriminal. Ky armik tradhtar dhe kriminel sigurisht që do të marrë ndëshkimin e tij për këtë sulm makabër nga ku ka rëndësi dhe nga ku nuk ka rëndësi”, tha Hezbollahu.

Kryeministri libanez Najib Mikati gjithashtu fajësoi Izraelin për shpërthimet, duke thënë se ato përfaqësonin një "shkelje serioze të sovranitetit libanez dhe një krim sipas të gjitha standardeve". Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha se i tha homologut të tij libanez se ai "dënon fuqishëm terrorizmin izraelit". SHBA, aleati më i ngushtë i Izraelit, mohoi çdo përfshirje dhe i kërkoi Iranit të mos rriste tensionet. /ZËRI

Poll

MOS HUMB